Argjentina më e mirë, por Franca kthen 'çuditshëm' rezultatin: Finalja në kohë shtesë
Kombëtarja e Francës ka arritur të shënojë dy herë brenda disa minutave që të përmbys Argjentinën dhe për ta dërguar finalen e Kupës së Botës “Katar 2022” në kohë shtesë.
Argjentina e nisi për mrekulli duke dominuar deri në minutën e 80-të me rezultat komod 2:0, por pastaj u ‘ndez’ Kylian Mbappe duke shënuar dy herë për dy minuta.
Ndeshja nisi shumë mirë për Argjentinën që krijuan disa aksione të shpejta nga fillimi, mirëpo u mungoi konkretizimi.
Ishte Angel di Maria që u faullua brenda zonës nga Ousmane Dembele, ku si pasojë arbitri akordoi penallti nga e cila ishte thjesht i pagabueshëm Lionel Messi.
Duke gjuajtur në këndin tjetër nga ai që mendoi arbitri, Messi i dha epërsinë Argjentinës pas 23 minutave lojë.
Ky dominim vazhdoi, me Messin që nisi një kundëraksion duke pasuar te Julian Alvarez, i cili gjeti McAllister me këtë të fundit që asistoi për Di Maria, që dyfishoi epërsinë.
Franca nuk arriti të këndellet deri vonë pasi nuk kishin as edhe një goditje drejtë portës.
Ishte Kylian Mbappe që ngushtoi epërsinë duke shënuar nga pika e bardhë (80’).
Kurse vetëm një minutë më vonë, Kinglsay Coman mori një top në mesfushë dhe asistoi për francezin, që me një goditje vollej dërgoi topin në portën e Emiliano Martinezit (81’).
Kështu, tani ndeshja është në vazhdime dhe mbetet të shihet nëse do të ketë fitues apo nevojiten penalltitë.