FFK-ja e shpërfill FIFA-n, Feronikeli 74 e eliminoi Trepçën ’89 me lojtarë të jashtëligjshëm - NACIONALE

FFK-ja e shpërfill FIFA-n, Feronikeli 74 e eliminoi Trepçën ’89 me lojtarë të jashtëligjshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës dhe Feronikeli 74 e kanë shpërfillur plotësisht një vendim të FIFA-s, që ia ndalon transferimin e lojtarëve të rinj klubit nga Drenasi, duke i përdorur pesë futbollistë të transferuar në janar për ta mposhtur Trepçën ’89 në Kupën e Kosovës.

FIFA e ka pezulluar Feronikelin 74 nga transferimi i lojtarëve të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit, për shkak të borxheve të pashlyera ndaj ish-futbollistëve.

Me gjithë këtë pezullim, Feronikeli 74 i ftoi hiç më pak se gjashtë lojtarë të transferuar në janar për ndeshjen kundër Trepçës ’89 në rrethin e 16 më të mirëve të Kupës së Kosovës të dielën në Drenas.

Tre prej gjashtë futbollistëve të rinj të ftuar për këtë takim, Donat Hasani, Fitim Susuri dhe Adem Maliqi – të gjithë të transferuar në afatin kalimtar dimëror – luajtën titullarë duke i ndihmuar Feronikelit të kalojë në çerekfinale të kupës.

Ndërsa, më vonë në lojë u inkuadruan edhe dy tjerë futbollistë Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu (gjithashtu të transferuar në janar). Në stol gjithashtu ishte edhe Armend Blakqorri që i bashkohet kësaj liste, por nuk luajti.

Kështu, FFK më saktësisht delegatët e saj kanë shpërfillur plotësisht vendimin e FIFA-s.

Delegatët para çdo ndeshje e kanë për detyrë që të paraqiten në fushë para më se paku një orë para fillimit të ndeshjes, të konstatojnë identitetin e lojtarëve dhe rregullsinë e librezave sportive të futbollit dhe përfaqësuesve të klubeve t'ua mundësojnë shikimin e librezave sportive të lojtarëve të klubit rival.

Përndryshe, FIFA e ka bllokuar merkaton e Feronikelit 74 pavarësisht që kjo e fundit ndryshoi emrin kinse klub i ri.

Në letrën që ka siguruar Nacionale, shihet se klubi i Feronikelit është bllokuar në të dy anët shkaku i borxheve të mëdha drejt ish futbollistëve.

Si pasojë e këtij lëshimi, Trepça ‘89 tashmë ka nisur ta përpilojë ankesën të cilën do ta dorëzojnë në Federatë me shpresën që kjo e fundit të kryejë detyrën dhe t’ua mundësojë kualifikimin direkt në çerekfinale.

Presidenti i klubit mitrovicas, Abedin Zeka për Gazetën Nacionale konfirmoi se avokatët dhe juristët po përpilojnë dokumentin që do ta dorëzojnë në FFK.

“Po, në një botë të civilizuar ashtu duhet të jetë. Juristët dhe avokatët janë duke përpiluar dokumentet që do t’i dorëzojmë në FFK. Feronikeli 47 ka pasur lojtarë që kanë luajtur të paregjistruar pasi e kanë merkaton e bllokuar në FIFA. Edhe lojtarët tanë e kanë ditur këtë gjë, prandaj nuk ka dhënë më të mirën”.

“Ne shpresojmë që ankesa që do të bëjmë të pranohet dhe të avancojmë tutje. Në një botë të civilizuar një gjë e tillë duhet të ndodhë. Të shohim”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme