FFK thotë se ndeshja Prishtina – Liria do të zhvillohet në Hajvali, kryeqytetasit thonë se do të luajnë në Fadil Vokrri - NACIONALE

FFK thotë se ndeshja Prishtina – Liria do të zhvillohet në Hajvali, kryeqytetasit thonë se do të luajnë në Fadil Vokrri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Me kthimin në futbollin e ekipeve, janë kthyer edhe problemet mes FC Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Këta të fundit me anë të Komisionit të Garave njoftuan se kryeqytetasit do ta zhvillojnë ndeshjen e fundjavës në Hajvali, por ndryshe thonë nga skuadra, ku kanë paralajmëruar zhvillimin e ndeshjes në Fadil Vokrri.

Ky problem daton kohë më parë, me Prishtinën që nuk mundi t’i zhvillonte xhiron e para të këtij sezoni në Fadil Vokrri, për shkak të gjendjes së rënduar të fushës. Nga FFK më herët gjatë ditës njoftuan se ka filluar procesi i riparimit të fushës dhe skuadra nga kryeqyteti nuk mund të zhvillojë ndeshjet aty.

Njoftimi i plotë nga FFK

Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës.

FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushes dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

I kundërt ishte njoftimi i FC Prishtinës, ku me anë të një postimi në rrjetet sociale, kanë thënë se po kthehen në stadiumin Fadil Vokrri dhe se për këtë kanë shtypur edhe biletat.

Njoftimi i plotë i FC Prishtinës

Prishtina – Liria, zhvillohet në “Fadil Vokrri”

FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës ndërmjet Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00.

Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, “Fadil Vokrri”.

Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre.

Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës.

Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës.

Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat.

Ndeshje në fjalë do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 15:00 dhe mbetet të shihet se ku do të jetë lokacioni, në Hajvali apo në Fadil Vokrri.

Lajme të ngjashme