FFK-ja e dënon vetëm me gjobë delegatin e vet analist që tentoi ta ndreqte rezultatin e një ndeshjeje
Delegati i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arben Zeqiri, çuditërisht ka shpëtuar me vetëm një gjobë simbolike nga Komisioni Disiplinor i federatës, pavarësisht se u gjet fajtor për tentim për t’i ndihmuar Dritës të fitojë me hile kundër Ulpianës në futbollin e të rinjve.
Gjyqtari i ndeshjes në raportin e tij kishte thënë se Zeqiri – i cili është edhe analist futbollit nëpër televizionet vendore – kishte bërë përpjekje ta detyronte gjyqtarin t’i ndihmojë Dritës në përballjen e javës së 21-të në Superligës e kadetëve kundër Ulpianës.
Madje, ai e kishte qortuar gjyqtarin pse nuk i kishte ndihmuar klubit gjilanas.
“Delegati Arben Zeqiri në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së kadetëve Drita – Ulpiana, sipas gjyqtarit të ndeshjes, delegati ka kërkuar nga treshja e gjyqtarëve që të ndihmohet skuadra e Dritës, pasi i duhen pikët dhe se gjatë tërë takimit dhe në meslojë ka bërë presion ndaj gjyqtarëve së bashku me trajnerin vendas. Pas përfundimit të ndeshjes delegati ju ka drejtuar gjyqtarit kryesor me fjalët “bërllog e bane, a të thash të kesh kujdes se Dritës i nevojiten pikët”, thuhej në raportin e gjyqtarit.
Komisioni Disiplinor e ka shpallur fajtor Zeqirin por e ka dënuar vetëm me një gjobë prej 300 eurove.
“Bazuar në nenin 42 paragrafi 1 pika B: Dënohet me gjobë në shumë prej 300 euro. Afati i pagesës është 8 tetë ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”, njoftoi Komisioni Disiplinor i FFK-së.