Federata s’ka guxim t’i licencojë klubet, me këta njerëz të padijshëm s’mund të kemi suksese - NACIONALE

Federata s’ka guxim t’i licencojë klubet, me këta njerëz të padijshëm s’mund të kemi suksese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Remzi Ejupi

Federata e Futbollit të Kosovës, prej pranimit në UEFA e FIFA e këndej, nuk po guxon t’i licencojë klubet. Kjo për arsye se vetë Federata nuk është e përgatitur që ta zbatojë njërin prej kritereve të Ligjit për Sport. Klubet e zhvillojnë garën në Superligë, por nuk kanë licencim të denjë. Nuk ju kërkohet që t’i plotësojnë kriteret dhe standardet për të garuar në Superligë, sepse ka shumë kritere që duhet të plotësohen.

Klubet licencohen para përfundimit të garës kampionale dhe para pjesëmarrjes në garat evropiane. Deri para pranimit në UEFA e në FIFA ka pasur njëfarë rregulli, janë licencuar klubet në atë kohë. Por tash për shkak të interesit të votave, për të mos e prishur qetësinë e klubeve, nuk iu kërkohet klubeve kriteri financiar, organizativ e profesional, tamam si do t’i kishte hije një klubi të licencuar.

Gjithashtu, FFK-ja nuk po mendon fare për grupmoshat e reja, të cilat po i anashkalon ato. Ky institucion e ka pruar një rregull para disa vitesh, i cili nuk i kufizon aspak klubet për lojtarë të huaj. Për t’i mbështetur gjeneratat e reja do të duhej të vihej një standard ku do të merrnin pjesë në çdo lojë maksimum dy lojtarë të huaj. Pra, talentet në Kosovë nuk kanë kurrfarë mbështetje. Secili klub, para se të licencohet duhet ta mbrojë tregun e Kosovës.

Një pikë tjetër që dua ta përmend është klubet që investojnë, që e respektojnë dhe që i nënshtrohen Administratës Tatimore, duhet ta gëzojnë në maksimum Ligjin për Sponsorizim, të cilin e kemi bërë më të mirin në rajon, me privilegje të mëdha, të cilat fatkeqësisht po keqpërdoren. Ky Ligj është bërë me sakrificë. Fatkeqësisht, në futbollin kosovar nuk ka kurrfarë kriteri, kurrfarë standardi.

Edhe shikueshmëria është një pikë mjaft shqetësuese.

Si do ta kthejmë shikueshmërinë, kur dihet se kush është shkaktari se pse nuk kemi shikueshmëri. Ju morën klubeve të drejtat televizive, ju keqpërdorën, tash nuk shpreh interesim askush për t’i marrë ato. Pas gjithë atyre skandaleve që ndodhin, muaj pas muaji apo javë pas jave, nga njerëzit që e drejtojnë futbollin kosovar, si të presim që të kemi shikueshmëri dhe kthim të shikueshmërisë!?

Futbolli është i kapur edhe falë mbështetjes së disa personave dhe pas gjithë këtyre skandaleve që ndodhin në sy të institucioneve shtetërore, vazhdon pa problem i njëjti trend!

Andaj, mos pritni që ta kemi një kualifikim në një garë të madhe kur ka ashiqare skandale, duke mos e harruar këtu lojën e dyshimtë me Maqedoninë e Veriut.

Mos prisni që prindërit e lojtarëve në perëndim se do t’i sjellin me gëzim fëmijët e tyre për të luajtur për Kosovën. Ata do të vijnë veç prej zorit pasi lojtarët e njohur që i ka përgatitur dikush tjetër nuk mund t’i bindin dhe t’i sjellin në Kosovë këta drejtues të paaftë të Federatës.

Me këtë njerëz që janë duke e udhëhequr futbollin, vështirë se do të kemi sukses në një të ardhme të afërt...

Lajme të ngjashme