Edhe Busquets iku: Ku janë tani yjet e ekipit ikonë 2011 të Barcelonës?
Sergio Busquets do të bëhet anëtari i fundit i skuadrës së Barcelonës që e fitoi Ligën e Kampionëve më 2011 që largohet nga klubi këtë verë, pasi njoftoi të mërkurën për vendimin për t’u larguar nga Camp Nou.
I përshkruar nga Sir Alex Ferguson si “ekipi më i mirë me të cilin jam përballur”, ai ekip përfshinte Lionel Messin, Xavin dhe Andres Iniestan, dhe udhëhiqej nga tani trajneri i Manchester City, Pep Guardiola.
Pas atij triumfi 3:1 kundër Manchester Unitedit në Wembley më 28 maj, Guardiola nuk e ka shijuar më suksesin evropian, pavarësisht se ka udhëhequr Bayern Munichun dhe Cityn.
Dymbëdhjetë vite më vonë, ata që ishin pjesë e atij ekipi shkatërrues më 2021 kanë përjetuar rrugëtime të ndryshme, disa e kanë arritur lavdinë në Kupën e Botës dhe disa tjerë janë bërë trajnerë.

Portieri – Victor Valdes
Valdes u largua nga Barcelona më 2014 pas 12 viteve në Camp Nou, dhe iu bashkua Manchester Unitedit, ku i prishi marrëdhëniet me trajnerin e atëhershëm Louis van Gaal.
Pas një kohe të shkurtër në huazim te Stanard Liege në Belgjikë, ai iu bashkua Middlesbrought para se të pensionohej më 2018.
Mbrojtësi i majtë – Eric Abidal
Francezi u shërua mrekullisht nga tumori në mëlçi në vitin 2011 për të luajtur titullar në finalen e Ligës së Kampionëve dhe, fatkeqësisht, iu desh ta bëjë transplantimin e mëlçisë më 2012 për shkak të komplikimeve.
Më 18 dhjetor 2012, ai u rikthye në stërvitje dhe luajti titullar për herë të parë prej operacionit më 6 prill.
Më 2013, Abidal u rikthye te ish-klubi Monaco, pastj te Oluympiacos më 2014 para se të pensionohej.
Në moshën 43-vjeçare ai u rikthye në Barcelonë më 2018 si drejtor sportiv, por u shkarkua në gusht 2020.
Qendërmbrojtësi – Javier Mascherano
Dikur mesfushori i Liverpoolit i shndërruar në qendërmbrojtës Mascherano, tani 38 vjeç, u emërua trajner i Argjentinës U20 në dhjetor 2021 dhe ende e mban atë post.
Ai u largua nga Barcelona pas tetë viteve dhe ishte ndër ata që e fituan tripletën dy herë.
Qendërmbrojtësi – Gerard Pique
Përkushtimi i Piques në Barcelonë është i ngjashëm me atë të Busquets, pasi edhe ai i kaloi edhe 11 vite të tjera në klub pas finales së Ligës së Kampionëve më 2011 dhe u pensionua më 2022.
Ai është anëtari i tretë i skuadrës së vitit 2011 që e ka arritur tripletën dy herë. Pas pensionimit ai po merret me biznese.
Mbrojtësi i djathtë – Dani Alves
Alves, 40 vjeç, u largua nga Barcelona fillimisht më 2016 por u kthye për sezonin 2021-2022. Ai iu bashkua klubit meksikan UNAM në vitin 2022 por iu ndërpre kontrata pasi u arrestua nën dyshimin për sulm seksual në janar 2023.
Alvesi i mohon akuzat.
Ai luajti për Juventusin, PSG-në dhe Sao Paulon nga 2016 deri më 2020.
Mesfushori – Sergio Busquets
Largimi i mesfushorit Busquets vjen pas 18 viteve qëndrimi në klub, pasi kaloi nëpër ekipet e të rinjve të klubit.
Karriera e tij është e mbushur me suksese për klubin dhe kombëtaren. Ai e ka fituar tripletën dy herë në 718 paraqitjet e tij për Barçën.
Pas finales së Ligës së Kampionëve më 2011, fituesi i Botërorit me Spanjën i fitoi edhe 18 tituj të tjerë me klubin.
Mesfushori – Xavi
Busquets qëndroi në Barcelonë po aq gjatë sa Xavit iu desh për ta mbyllur karrierën, të pensionohej, dhe u bë trajner në Camp Nou.
Xavi ishte lojtar shumë i rëndësishëm për katalonasit para se të kalonte te Al Sadd në Katar më 2015.
Pas katër viteve si lojtar, spanjolli u bë trajner i klubit, duke e fituar kampionatin e Katarit dhe më 2021 e zëvendësoi Ronald Koemanin në Barcelonë.
Mesfushori – Andres Iniesta
Anëtari i tretë i mesfushës magjike i mbush 39 vjet sot dhe ende luan për klubin japonez Vissel Kobe.
Iniesta mbeti në Barcelonë për shtatë vite të tjera pas finales së Ligës së Kampionëve më 2011 dhe më 2018 kaloi në Azi.
Që prej atëherë, ai i ka bërë 133 paraqitje për klubin japonez dhe e ka fituar Kupën e Perandorit më 2019.
Sulmuesi – Lionel Messi
Messi, 35 vjeç, e fitoi më në fund Kupën e Botës me Argjentinën në dhjetor 2022 – që është mbase arritja më e madhe që prej kohës së tij në Barcelonë.
Ai është një tjetër lojtar që e fitoi dy herë tripletën me katalonasit, dhe iu bashkua PSG-së në verën e vitit 2021, pasi u largua nga Camp Nou me lot në sy si pasojë e telasheve financiare të klubit.
Ai do të largohet nga Parisi në fund të këtij sezoni dhe mund të kalojë te Miami në MLS apo në Al Hilal në Arabinë Saudite.
Barça, klubi ku i kaloi 21 vite ai, po përpiqet ta kthejë argjentinasin.

Sulmuesi – David Villa
Villa po punon si këshilltar teknik dhe shef i futbollit global për klubin indian Odisha FC dhe është pronari i Quennsboro FC në SHBA.
Sulmuesi vrastar i fitoi tetë trofe në Barcelonë.
Ai u largua nga Camp Nou më 2013 dhe iu bashkua Atletico Madridit, por luajti edhe për New York City, Melbourne City dhe Vissel Kobe para se të pensionohej më 2020.
Sulmuesi – Pedro
Tani lojtar i Lazios në Serie A, Pedro u largua nga Barcelona më 2015 dhe iu bashkua Chelseat, ku u kaloi pesë vite para se të shkonte në kryeqytetin italian më 2020.