Drita barazon në udhëtim te Liria, Malisheva e ‘shkatërron’ Fushë Kosovën - NACIONALE

Drita barazon në udhëtim te Liria, Malisheva e ‘shkatërron’ Fushë Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së dytë të Superligës së Kosovës, ku Drita ka barazuar pa gola me Lirinë, ndërsa Malisheva e ka mposhtur me rezultat të thellë 6:1 Fushë Kosovën.

Liria e cila u inkuadrua këtë sezon në Superligë, pati sërish punë të vështirë, pasi në javën hapëse u takua me kampionin në fuqi Ballkanin, ku humbi me rezultat minimal, ndërsa kësaj radhe ia doli me sukses të dalë me një pikë.

‘Intelektualët’ e dominuan tërësisht takimin e zhvilluar në Përparim Thaçi të Prizrenit, ku gjatë 90 minutave iu anuluan tre gola.

Nuk munguan rastet e Lirisë në këtë ndeshje por ishin të paketa në krahasim me të nënkampionit.

Ishte Besnik Krasniqi që gjeti golin në minutën e 25-të, por që u anulua për pozitë jashtë loje nga VAR.

Kështu ndodhi edhe me golat e Almir Ajzerajt e Albert Dabiqaj në dy raste të tjera.

Deri në fund nuk pati gola të shënuar dhe ndeshja përfundoi me rezultat 0:0, me Dritën që ka katër pikë nga dy takimet, ndërsa Liria sot merr pikën e parë në Superligën e Kosovës.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në të njëjtën kohë, Malisheva ka shënuar fitore të thellë 6:1 ndaj Fushë Kosovës.

Pas 23 minutave të para të zhvilluara, Malisheva kaloi në epërsi 1:0 me golin e Altin Aliut, por Fushë Kosova reagoi shpejt duke barazuar pas dy minutash me sulmuesin Urim Statovci.

Por punët për ‘Pampurat’ u përkeqësuan kur Valmir Kutllovci mori karton të kuq një minutë më vonë.

Pjesa e parë përfundoi me barazim 1:1, ndërsa në 45 minutat e dyta vetëm një skuadër u pa në fushë.

Drilon Hazrollaj shënoi het-trik me golat e shënuar në minutën e 60-të, 67-të dhe 94-të, ndërsa Altin Aliu shënoi edhe një gol tjetër në minutën e 84-të e Ilir Mustafa me një gol në minutën e 89-të.

Malisheva tani ka gjashtë pikë në dy ndeshjet e para të zhvilluara, pasi mposhti Dukagjinin në javën hapëse, ndërsa Fushë Kosova zhvilloi ndeshjen e parë në Superligë që nga inkuadrimi, pasi ndeshja e javës së parë mes tyre e Gjilanit u shty për një datë të mëvonshme.

Lajme të ngjashme