Dënimi me -10 pikë: Ky s’është fundi për Juventusin, ja çfarë pritet të ndodhë tani
Juventusi u dënua me heqjen e 10 pikëve të hënën, por ky nuk është fundi për gjigantin italian, i cili mund të përballet me ndëshkime të reja në gjyqin e ri të Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC) për të ashtuquajturën “manovrën me pagat” më 15 qershor.
Bardhezinjtë ranë nga vendi i dytë në vendin e shtatë në Serie A, pasi Gjykata e Apelit në FIGC vendosi t’ia heqë 10 pikë të hënën.
Kjo nënkupton se atyre iu duhen gjashtë pikë në dy ndeshjet e mbetura të sezonit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, por fatin nuk e kanë në duart e veta, pasi Atalanta, Roma dhe Milani janë para tyre në tabelë.
Ende asgjë nuk ka mbaruar për zonjën e vjetër, e cila mund të përballet me një ndëshkim tjetër para se ky sezon të përfundojë.
Siç konfirmon Gazzetta dello Sport, një seancë tjetër gjyqësore do të mbahet më 15 qershor, rreth dy javë pas përfundimit të sezonit të rregullt në Serie A.
Aty Juventusi do të gjykohet për manovrimin me paga, partneritetin me klubet e tjera dhe lidhjet me menaxherët e lojtarëve. Kërkesa e parë e klubit për marrëveshjen e pranimit të fajësisë është hedhur poshtë, por drejtuesit e tij ende kanë mundësi të bisedojnë me prokurorin federal para se të fillojë gjykimi.

Mbetet të shihet nëse Juventusi do të dënohet përsëri me pikë dhe nëse ai dënim do të vlente për sezonin e tanishëm apo për sezonin e ri 2023/24.
Serie A duhet patjetër ta konfirmojë renditjen përfundimtare të këtij sezoni deri më 30 qershor dhe ankesa e mundshme e Juventusit ndaj dënimit sigurisht nuk do të mundë të bëhej para kësaj date.
Juventusi mund të ankohet edhe ndaj dënimit të ri me heqjen e 10 pikëve, por duke marrë parasysh se në tentimin e fundit u pajtua se klubi e kishte shkelur nenin 4 – në lidhje me fair play financiar – ka shumë pak gjasa që ankesa t’i pranohet.
