Daku pasi Kosova s'po e fton kurrë: Tani jam i gatshëm ta përfaqësoj Shqipërinë me gjithë zemër
Sulmuesi kosovar nga Gjilani, Mirlind Daku, i cili po paraqitet suksesshëm në skuadrën NS Mura, ka treguar mllefin e tij me mosftesën nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e qershorit. Ai në një lidhje live në Duelin Sportiv në RTV Dukagjini ka thënë se tani nëse i jepet mundësia, do të luante me gjithë zemër për Shqipërinë.
Daku ishte një nga futbollistët më në formë që ka Kosova sa i përket klubeve, ku në 32 ndeshje i ka shënuar 18 ndeshje, por edhe pas kësaj forme ai nuk mori ftesën nga Alain Giresse për t’u paraqitur në ndeshjet e qershorit, kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.
25-vjeçari tregoi se gjithmonë ka qenë i gatshëm për Kosovën sepse e sheh si privilegj përfaqësimin e vendit të tij, por se ai është i mllefosur që thirrja nuk po vjen edhe pse po kalon në formë më të mirë.
“Gjithmonë kam qenë i gatshëm për kombëtaren. Është privilegj. Në pozitën teme ka mungesa është vetëm Muriqi. Aty kam mundur të ndihmoj. Nuk kam pasur kontakte me federatën. Sa i përket ftesave nuk kam pasur kurrfarë thirrje apo diçka tjetër nga trajneri. Prej kësaj faze qe nuk e kam pasur ftesën nga Kosova, kam filluar te mendoj për këtë mundësi (Shqipërinë). Nëse më jepet mundësia do ta përfaqësoj Shqipërinë me gjithë zemër.”