Dajaku: Nëse përnime lojtarët janë marrë në pyetje, ky është skandal - NACIONALE

Dajaku: Nëse përnime lojtarët janë marrë në pyetje, ky është skandal

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-futbollisti i Prishtinës tani analist futbolli, Taulant Dajaku, gjatë një debati në Kanal 10 ka komentuar deklaratën e Sekretarit të FFK-së, Taulant Hodajt, mbi atë që ai kishte thënë gjatë ditës për ‘atakimin’ e futbollistëve të Kombëtares, duke thënë se kemi të bëjmë me një situatë hipotetike dhe jo fakt të kryer.

FFK-ja pas arrestimit të Presidentit të saj, Agim Ademi, thirri një konferencë të jashtëzakonshme, ku Hodaj tha se hetues në veshje civile kanë kontaktuar me futbollistë dhe i kanë atakuar ata.

“Çka do që janë pyetur e lojtarët nuk është në përputhje me ligjin e aplikueshëm. Vetë fakti që i kanë prekur i kanë ndalur në hotelin e kombëtares nuk është në rregull. Me ardhë persona civilë me i ataku lojtarët, stafin pa ndonjë arsyeje në kohën e këtyre ndeshjeve kruciale pa ndonjë bazë ligjore.”

Ndërsa Dajaku ka thënë se këtë gjë duhet ta sqarojë Prokuroria e Shtetit, pasi kemi të bëjmë me një situatë të ndjeshme, dhe nëse ka ndodhur diçka e tillë është skandal.

“Kisha një koment mbi atë pjesën e ndërtimit të argumentit mbi një situatë hipotetike, sepse ne nuk e dimë në fakt, ne shohim vetëm një deklaratë që ka pasur njerëz civil që kanë qenë hetues dhe i kanë ‘terrorizuar’ futbollistët dhe nuk po flasim për një fakt të kryer. Ne mund të flasim vetëm për gjëra që dimë. Në këtë situatë, të tilla akuza e nxjerrin Prokurorinë para një situate ku për hir të opinionit publik është lehtësisht e konstatueshme nëse ka pas një situatë të tillë destabilizmi të futbollistëve. Duhet qoftë edhe publikimi i videove nga ambientet e monitorueshme të hotelit ku skuadra është e vendosur, për shkak se do të ishte një situatë shumë e rëndë. Përgjegjësit si Drejtori i Përfaqësueses dhe Sekretari Permanent nëse kanë dhënë një deklaratë të tillë, mendoj se Prokuroria për hir të opinionit publik duhet ta sqarojë këtë, për shkak se është shumë e rëndë nëse thuhet se ka pasur presion ndaj lojtarëve. Është skandal i madh nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Nëse nuk ka ndodhur, Prokuroria e ka obligim ta sqarojë, sepse është situatë e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.”

Lajme të ngjashme