Carragher: Ronaldo e mbylli karrierën me intervistën te Morgan, gjersa Messi fitoi Kupën e Botës - NACIONALE

Carragher: Ronaldo e mbylli karrierën me intervistën te Morgan, gjersa Messi fitoi Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë i ashpër është treguar Jamie Carragher në analizën e tij për kalimin e Cristiano Ronaldos në Al Nassr. Ai mendon se intervista te Piers Morgan ka shënuar fundin e tij të karrierës.

Ylli portugez mbrëmë kompletoi transferimin në Al Nassr, ku nënshkroi kontratë dyvjeçare, duke përfituar kështu një pagë vjetore faraonike prej 200 milionë eurosh.

Megjithatë, krejt këtë zhvillim analisti i “Sky Sports”, njëherësh ish-futbollisti i Liverpoolit, Jamie Carragher, e konsideron si fund të trishtë.

“Ky është një fund i trishtë për një futbollist siç është ai”, komentoi Carragher. Sipas tij fakti që klubet evropiane nuk kanë dashur të llogaritin në shërbimet e tij flet mjaftueshëm.

Pikënisjen e kësaj rënie të madhe ai e sheh intervistën kontroverse që realizoi te gazetari britanik Piers Morgan pak ditë para fillimit të Kupës së Botës. Madje, Carragher e shigjetoi pesë herë fituesin e Topit të Artë, duke bërë një krahasim me Lionel Messin për periudhën që po kalon ky i fundit.

“Ronaldo e mbylli karrierën me intervistën te Piers Morgan, gjersa Messi fitoi Kupën e Botës”, u shpreh ai.

Rivaliteti mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos ka qenë mbizotërues në dy dekadat e para të mileniumit të fundit. Megjithatë, sukseset e yllit argjentinas, e veçanërisht ato të fundit, nuk lënë asnjë hapësirë më për debat se cili ka qenë futbollisti më produktiv i kësaj epoke.

Kujtojmë se Ronaldo shkëputi kontratën me Manchester Unitedin disa ditë pasi realizoi intervistën te Morgan, ku e akuzoi ish-klubin e tij për trajtim jo meritor ndaj tij, si dhe për infrastrukturë të vjetëruar e mungesë përspektive, duke kritikuar tej mase edhe vetë pronarët e klubit.

Tani atë e pret një sfidë e re në futbollin arab ku do të qëndrojë për dy vitet e ardhshme. Deri tani Ronaldo nuk ka shfaqur shenja se dëshiron të pensionohet nga Kombëtarja e Portugalisë. Sipas shumë medieve të besueshme ndërkombëtare ai synon që të luajë jo vetëm në Evropianin 2024, për edhe në Kupën e Botës që do të zhvillohet pas katër vjetësh, ndonëse ai do të jetë 41-vjeçar deri atëherë.

Lajme të ngjashme