Cancelo u huazua në Bayern, Guardiola tregon pse nuk e pengoi largimin e tij
Joao Cancelo në formë të befasishme u huazua në Bayern për gjysmën e mbetur të sezonit në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror. Sot, Pep Guardiola foli në lidhje me këtë çështje, duke dhënë arsyetimet e tij.
Huazim gjashtë mujor me të drejtë blerje të kartonit për 70 milionë euro: kjo ishte formula e transferimit me të cilën Bayern dhe Manchester City u dakorduan më 31 janar për mbrojtësin portugez, Joao Cancelo.
Në konferencën e rregullt për shtyp, Pep Guardiola tha se ia dëshiron më të mirën Cancelon. Ai nuk ia mbylli dyert yllit portugez për sezonin e ardhshëm, duke e falënderuar edhe për kontributin e madh që ka pasur në skuadrën e tij gjatë viteve të fundit.
“Para se gjithash, ia dëshiroj më të mirën për katër muajt e ardhshëm. Në sezonin e ardhshëm nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ka qenë shumë i rëndësishëm për ne në dy kampionatet që kemi fituar”, tha ai

Arsyet e largimit nuk i fshehi aspak trajneri katalonas. Ai e pranoi se 28-vjeçari kërkonte që të luante rregullisht, diçka që stafi teknik i Manchester Cityt nuk ia premtonte dot, posaçërisht pas ndryshimit të modulit të lojës.
“Megjithatë, pas Kupës së Botës, kemi vendosur që ta aplikojmë një modul tjetër të lojës. Më ka pëlqyer ajo që kam parë dhe u kam dhënë më shumë minuta lojtarëve tjerë. Personaliteti i tij është sikur i imi. Dëshiron të luajë. Stërvitet në mënyrën më të mirë të mundshëm”, shpjegoi ai.
Sigurisht trajneri i skuadrës kampione në fuqi të Anglisë shpreson që Cancelo të mund të jetë vazhdimisht pjesë e formacionit të parë të bavarezëve gjatë muajt në vijim.
“Problemi është se ishte duke luajtur pak. Në vitet e fundit ka qenë njëri prej lojtarëve me më së shumti minuta. Ka nevojë të luajë dhe të jetë i lumtur. Kështu, kemi vendosur që ta linim që të transferohej në Munchen. Dëshiron të jetë i pranishëm në të gjitha ndeshjet dhe uroj që ta arrijë qëllimin”, përfundoi Guardiola.
