Boksieri kinez e rreh keq Joe Joycen dhe ia shkakton humbjen e parë në karrierë
Boksieri britanik i peshave të rënda që ishte ambicioz për titullin e kampionit të botës, u rrah keq në gjashtë runde, për të përfunduar takimi me nokaut teknik me humbje nga boksieri kinez, Zhilei Zhang, në meçin që u zhvillua në Londër.
37-vjeçari u gjend në situata të vështira disa herë gjatë kësaj ndeshje dhe nuk kishte përgjigje për asnjë moment për kundërshtarin, në fund për të pësuar humbjen e parë në karrierën e tij si profesionist.

Doktori i meçit kontrolloi dy herë syrin e fryrë të Joyce, përpara se gjyqtari të vendoste për përfundimin e takimit në raundin e gjashtë.
Zhang with a massive shot in the second round 🫢#FightNight | #JoyceZhang | 📺 BT Sport 1 pic.twitter.com/nuz7Y6DJZW
— Boxing on BT Sport 🥊 (@BTSportBoxing) April 15, 2023
“Jam i zhgënjyer me paraqitjen time. Me dorën e djathtë vazhdonte të më godiste... Nuk munda të përgjigjesha, ndaj respekt për Zhang. Prisja të fitoja siç bëj zakonisht. Faleminderit për gjithë mbështetjen dhe urimet e mia për kundërshtarin", tha Joyce për BT Sport pasi përfundoi meçi.

Joyce, fituesi i medaljes së argjendtë të Olimpiadës 2016, ishte sfiduesi i detyrueshëm për titullin WBO të kampionit të unifikuar Oleksandr Usyk dhe ishte në prag të një përballje për titullin botëror.
Në karrierën e tij profesionale, boksieri britanik ka zhvilluar 16 meçe, nga të cilat 15 i ka fituar (14 me nokaut) dhe kjo ndaj Zhang ishte humbja e parë që ka pësuar.

Me këtë humbje ai nuk do ta ketë mundësinë që kishte më parë për të sfiduar Oleksandr Usyk dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse kërkohet revansh me boksierin kinez, për të fituar të drejtën e sfidimit për titullin e kampionit të botës.