Belgjika akoma pa trajner të ri, yjet e kombëtares preferojnë Henryn
Qëkur u shkarkua Roberto Martinez nga pozita e përzgjedhësit, kjo pozitë te Kombëtarja e Belgjikës ka mbetur vakante. Yjet e kombëtares po promovojnë emrin e Thierry Henry, që është ndihmës trajner nga viti 2021.
Belgjika akoma nuk ka gjetur pasardhësin e Roberto Martinezit. Pas një rendimenti aspak të mirë në Kupën e Botës, ku dështoi edhe që të kualifikohej në fazën e eliminimit direkt - drejtuesit e federatës respektive nuk kanë gjetur profilin e duhur të trajnerit, i cili do të mund ta drejtonte këtë kombëtare me shumë potencial në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës së madhe franceze, “L’Equipe”, një pjesë e madhe e yjeve të kombëtares po këmbëngulin që këtë pozitë ta marrë Thierry Henry.
Ish-ylli i Arsenalit dhe Barcelonës ka një raport të shkëlqyer me lojtarët belgë, pasi që nga viti 2021 është afër tyre, meqë që atëherë është emëruar në pozitën e ndihmës trajnerit.

Para pak ditësh vetë Henry ishte prononcuar në lidhje me këtë temë. Ai kishte thënë se nuk e ka kontaktuar federatën biseduar për një gjë të tillë, pasi aludohejs se ai ishte vetofruar.
“Dua të qartësoj plotësisht që, në kundërshtim me atë çfarë është shkruar, nuk e kam kontaktuar federatën belge për ta dhënë gatishmërinë time që të bëhem përzgjedhës i kombëtares”, thoshte ai.
Gjatë ditëve apo javëve në vijim pritet që të përfundojë edhe ky “mister”, pasi akoma është e paqartë se si do të lëvizë në këtë drejtim federata belge.
Për Henryn është një kënaqësi në vete fakti se është i përkrahur nga boshti i lojtarëve të kombëtares, të cilët dëshirojnë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë e punojnë me të nga afër.
