Bayern Munich me ofertë serioze për Granit Xhakën
Bayern Munich i ka bërë një ofertë serioze afatgjate mesfushorit shqiptar Granit Xhaka, i cili do të largohet nga Arsenali këtë verë.
Xhaka, 30 vjeç, i shënoi dy gola në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Premierligë në fitoren 5:0 të Arsenalit kundër Wolves të dielën në Emirates.
Besohet se ajo ishte ndeshja e fundit e mesfushorit shqiptar të Zvicrës në fanellën e Arsenalit, për të cilin i zhvilloi pothuajse 300 ndeshje që prej se iu bashkua më 2016.
Për kapitenin e Zvicrës thuhej se do t’i bashkohej Bayer Leverkusenit në një marrëveshje pesëvjeçare.
Megjithatë, sipas mediave zvicerane, Bayern Munich është futur në garë për Xhakën dhe dëshiron t’ia rrëmbejë atë Leverkusenit.
Thuhet se kampioni gjerman është i gatshëm t’i ofrojë atij kontratë trivjeçare, me mundësi për ta zgjatur atë për edhe një vit tjetër.

Derisa oferta e Leverkusenit është më joshëse për Xhakën për disa arsyeje, si kohëzgjatja e saj dhe mundësia për të qëndruar në klub për ta marrë licencën e trajnerit, kërkesa e Arsenalit për çmimin e shitjes së tij mund të luajë rol kyç po ashtu.
Meqenëse Xhaka ka kontratë me klubin londinez deri më 2024, Arsenali i kërkon rreth 25 milionë euro për shitjen e tij.
Për Xhakën ky do të jetë një kthim në Bundesligë, ku kishte luajtur për Borussia Monchengladbach para se të kalonte në Arsenal.
