Batatina: Llapi edhe kur ka humbur ka dominuar, ndërsa sot fituam
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadra e tij edhe në ndeshjet e kaluara kur ka pësuar humbje ka dominuar takimin, por sot arritën fitore me dominim sipas tij ndaj Ballkanit.
Tutje ai u shpreh se pavarësisht tri humbjeve, skuadra e tij nuk ka pasur formë të dobët, teksa ka thënë se ndeshja e sotme ishte një derbi i jashtëzakonshëm dhe i bukur për t’u parë nga tifozët.
“Mendoj që Llapi nuk ka formë të dobët, përveç ndeshjes me Ferizajn që nuk luajtëm mirë, kundër Dritës dhe Prishtinës dominuam edhe pse u mposhtëm. Në Ferizaj nuk ka qenë dita jonë dhe kemi humbur, këtë e kam pranuar por kemi bërë sezon pranverorë të jashtëzakonshëm. Sot në çdo aspekt e kemi dominuar kundërshtarin edhe pse jemi gjendur në disavantazh. Mungesa e Riverës ka qenë mungesë e madhe për ne, por nuk u dorëzuam, luftuam dhe bëmë maksimumin për fitore. Ishte një ndeshje e mirë për tifozët sepse u shënuan pesë gola në ndeshje derbi është bukuria e futbollit, bëmë gjithçka nga vetja dhe arritëm fitoren që na u ka dashur shumë në këto momente, që të shkëputemi nga pjesa e fundit tabelore dhe të jemi më komod.”

Batatina u shpreh se fokusi kryesor i skuadrës së tij është Kupa e Kosovës, por që edhe në kampionat do të japin maksimumin e tyre.
“Fokusi kryesor i Llapit është Kupa, këtë nuk e mbaj fshehur. I gjithë fokusi dhe potenciali i Llapit do të jetë në Kupë, aty do të japim gjithçka nga vetja, por edhe në kampionat nuk është keq sepse me tri fitore je shumë lart e me tri humbje shumë poshtë.”
Për fitoren më meritorët ishin lojtarët sipas trajnerit llapjan, teksa tha që kur humbin gjithmonë merr përgjegjësinë dhe nuk ik nga ajo.
“Sot nuk ishte e lehtë për ne, sepse luajtëm kundër liderit dhe kampionit në fuqi. Lojtarët janë më meritorët për fitore, kur humbin e marrë gjithmonë përgjegjësinë.”
