Barcelona mposht Mallorcan dhe merr kryesimin në renditje, PSG fiton minimalisht ndaj Nice
Barcelona ka shënuar një fitore të çmuar në udhëtim ndaj Mallorcas me rezultat 0:1. Në ndeshjen tjetër, PSG fitoi me rezultat të ngushtë ndaj Nice.
Skuadra e Xavit po vazhdon me formë të mirë në kampionat. Katalonasit siguruan fitoren e radhës, përkundër lëndimeve të shumta.
Në këtë ndeshje titullar luajti përfaqësuesi kosovar, Vedat Muriqi, por pa arritur që të ishte i rrezikshëm për portën kundërshtare.
Ndërkaq sa i përket fitores së PSG, më shumë sesa tre pikët vëmendjen e plotë e mori goli i Leo Messit nga gjuajtja e lirë.
Raporti i ndeshjes Mallorca 0:1 Barcelona
Barcelona hyri në ndeshje me vetëdijen se ishte e hendikepuar falë mungesës së shumë lojtarëve. Sidoqoftë, sërish doli në skenë për ekipin blaugran i përhershmi, Robert Lewandowski.
Ylli polak shënoi në minutën e 20-të një gol tejet të bukur, duke u liruar mirë, për t’u futur në zonë dhe goditur saktë drejt këndit të djathtë të portës.
LEWANDOWSKI WHAT A GOAL
— Ziad is NOT in pain (@Ziad_EJ) October 1, 2022
pic.twitter.com/8cIq8B5Om2
Ky ishte goli i 9-të i realizuar nga ai në La Liga, me ç'rast kryeson edhe në renditjen e golashënuesve më të mirë.

Në vazhdim të pjesës së parë nuk është se u shënuan raste të mëdha shënimi. Kryesisht ishin mysafirët ata që mbizotëronin me posedim të topit, anipse pa bërë vertikalizime që do ta vendosnin në vështirësi mbrojtjen e skuadrës nga jugu i vendit.
Kështu mbaroi edhe pjesa e parë me rezultatin 0:1.
Në pjesën e dytë panorama e ndeshjes nuk ndryshoi shumë. Barcelona me pasime të shkurtëra menaxhoi mirë epërsinë e krijuar.
Deri në fund të takimit nuk skuadat ishin jo-produktive, me lojën që u fokusua më shumë në mesfushë
Kësisoj, duke ruajtur ngapak edhe energjitë për ndeshjet vijuese, Barcelona ia doli që t’i marrë tre pikët e radhës, duke rrëmbyer përkohësisht primatin në tabelë me 19 pikë të arkëtuara, në pritje të ndeshjes së nesërme që do ta luajë Real Madridi ndaj Osasunas në “Bernabeu”.

Mallorca e Muriqit pas kësaj disfate të paktën tani për tani nuk lëviz nga renditja tabelore, duke qëndruar në vendin e 10-të me 8 pikë të mbledhura.
Raporti i ndeshjes PSG 2:1 Nice
PSG po vazhdon formën e mirë në kampionat. Sot, të besuarit e Galtier shënuan fitoren e shtatë radhazi, duke llogaritur edhe sfidat e Ligës së Kampionëve.
Goli i epërsisë erdhi me një goditje përrallore nga Lionel Messi, që kaloi skuadrën në epërsi në minutën e 29-të nga gjuajtja e lirë.
Ky ishte goli i tij i 5-të në këtë kampionat, ku ka kontribuar edhe me 7 asiste tjera – çka dëshmon formën shumë të mirë në të cilën po kalon shtatë herë fituesi i Topit të Artë.
PSG ia doli që të shkonte në pauzën 15 minutëshe mes dy pjesëve me epërsinë 1:0.
Dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë ishin mysafirët ata që barazuan rezultatin, përmes një harkimi, që vuri në huti mbrojtjen parisiene dhe këtë gjë më së miri e shfrytëzoi Laborde, i cili shënoi për 1:1.
PSG nuk bëri ndonjë volum të lartë të sulmeve gjatë pjesës së mbetur të lojës për ta rikthyer në favor të vet epërsinë.
Gjithsesi, ajo prapëseprapë erdhi, falë lojtarëve të mëdhenj që ka në zotërim kampioni në fuqi francez.
Në minutën e 83-të Mukiele gjeti të lirë Mbappen. Sulmuesi francez nga afërsia nuk gaboi dhe shënoi për 2:1. Ky ishte goli i 8-t në kampionat për Mbappen, që barazoi Neymarin në listën e golashënuesve më të mirë në edicionin e sivjem të kampionatit.

Kështu, me rezultatin 2:1, PSG konfirmoi fitoren e tetë në kampionat.
Pas nëntë javësh të luajtura në Ligue 1, PSG është në pozitë të parë me 25 pikë, ndërkaq Nice zë vendin e 13-të me 8 pikë.

Të mërkurën PSG e pret një ndeshje tjetër në Ligën e Kampionëve, ku do të udhëtojë në Portugali për të sfiduar Benfican. Pas dy ndeshjeve të para që janë luajtur në grupin H, të dy ekipet kryesojnë me 6 pikë, ndërsa Juventus dhe Maccabi Haifa zënë pozitat e fundit me asnjë pikë të grumbulluar.

Edhe në këtë edicion të kompeticionit më të madh evropian, sikur në ato të fundit, PSG llogaritet ndër pretendentët kryesorë për ta ngritur lart trofeun e shumëdëshiruar.


