Barcelona konfirmon lëndimin e Sergi Busquets para përballjeve ndaj Man Unitedit
Barcelona ka konfirmuar se mesfushori Sergi Busquets ka pësuar lëndim në kyçin e këmbës, që pritet ta përjashtojë nga dy ndeshjet e Ligës së Evropës kundër Manchester Unitedit.
Katalunasit vazhduan bindshëm me fitore në La Liga duke triumfuar 3:0 ndaj Sevillas, mirëpo spanjolli u detyrua të largohej 10 minuta pa përfunduar koha e rregullt shkaku i lëndimit.
Barcelona përmes një komunikate konfirmoi lëndimin në kyçin e këmbës së futbollistit.
“Testet e kryera këtë mëngjes kanë zbuluar se Sergio Busquets ka një ndrydhje të ligamentit anësor në kyçin e tij të majtë", shkroi klubi.
MEDICAL NEWS | Tests carried out this morning have revealed that Sergio Busquets has a lateral collateral ligament sprain in his left ankle. He is out and his recovery will determine his availability. pic.twitter.com/taS6pCsJsy
— FC Barcelona (@FCBarcelona) February 6, 2023
Derisa Barcelona nuk ka treguar ndonjë datë se kur do të rikthehet, mediumi katalunas "Sport" raporton se Busquets do të jetë jashtë fushës për dy ose tre javë.
Skuadra e Xavi Hernandezit do ta zhvillojë përballjen ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Evropës më 16 shkurt, derisa një javë më vonë do të zhvillohet ajo kthyese në "Old Trafford".
Lëndimi i Busquets do ta mbajë për një kohë jashtë fushës, prandaj më shumë gjasë do t'i humbë të dy ndeshjet.
Barcelona tashmë është pa sulmuesin Ousmane Dembele në ndeshjen e parë, pasi anësori ka pësuar lëndim muskulor në fitoren ndaj Gironas në janar.