Barcelona e pashpresë, Interi arrin marrëveshje me Al Nassrin për shitjen e Brozovicit
Interi ka arritur marrëveshje me Al Nassrin për ta shitur mesfushorin Marcelo Brozovic për një çmim prej 23 milionë eurove, duke e lënë Barcelonën pothuajse të pashpresë.
Klubi zikaltër tani por pret vetëm vendimin e mesfushorit kroat për t’iu bashkuar klubit nga Arabia Saudite.
Brozovici do të largohet nga Interi pas plot tetë vjetëve dhe nuk dihet nëse do të përfundojë në Barcelonë apo në Lindje të Mesme.
Shefi ekzekutiv i Al Nassrit, Ahmad Al Ghamdi, ishte të hënën në Milano për t’u takuar me zyrtarët e Interit, në një takim ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Brozovicit.
Mediat italiane raportojnë se klubet kanë arritur marrëveshje për shitjen e tij për 23 milionë euro.
Al Nassri i ka ofruar përfaqësuesit të Kroacisë pagë të lartë vjetore, 20 milionë euro, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.
Ndërkohë, Barcelona shpreson se Brozovici do ta hedhë poshtë ofertën e klubit saudit dhe të presë për të, megjithëse gjiganti katalonas nuk do të ishte në gjendje t’i ofrojë pagë të njëjtë atij apo ta paguajë çmimin që Interi kërkon për të.
Por Tuttomercatoweb raporton se Brozovici është i gatshëm për ta pranuar ofertën e Al Nassrit dhe po përgatitet për t’u zhvendosur në Arabinë Saudite me familje.
