Ballkani e merr në huazim yllin shqiptar të Zrinjski Mostarit
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka qenë mjaft aktiv në afatin kalimtar veror. Që nga ardhja e drejtorit të ri sportiv, Omer Bunjakut, ata kanë bërë disa lëvizje, me të fundit, që është talenti nga Shqipëria Marsel Ismajlgeci, që vjen në formë huazimi nga skuadra boshnjake, Zrinjski Mostar.
Ismajlgeci, 23-vjeçar, luan si mbrojtës i majtë, por që di të mbulojë mirë edhe pozitën përpara të mesfushorit.
Marseli ka qenë pjesë e Tiranës që nga grupmoshat e reja, për t’u ngjitur te ekipi i parë, ku edhe fitoi titullin kampion dy herë (2019/20 dhe 2021/22), ndërsa u transferua në Bosnje dhe Hercegovinë në fund të janarit të këtij viti për 150 mijë euro, ku u shpall kampion i Ligës me Zrinjskin, si dhe fitoi Kupën e Ligës.

Vlera e Marsel Ismajlgecit sipas Transfermarkt është 350 mijë euro dhe do të jetë vlerë e shtuar për kampionin e Kosovës, duke ditur se ata me shumë gjasë do të luajnë në grupet e Ligës së Konferencës edhe këtë vit, pasi fituan ndeshjet e parë të play-offit ndaj Bate Borisov me rezultat të thellë 4:1.
Ballkani ka njoftuar në rrjetet sociale për transferimin e talentit shqiptar në skuadër.
Njoftimi i plotë:
Të dashur tifozë, 🧡
Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se skuadrës tonë kampione i është bashkuar edhe një kampion.
Anësori i majtë, Marsel Ismajlgeci, tani është futbollist i Ballkanit.
23 vjeçari ka luajtur për Tiranën, skuadër me të cilën u shpall kampion i Superiorës në Shqipëri, kurse së fundmi kishte një aventurë edhe në Bosnje, me kampionët e Zrinjskit të Mostarit.
Mirë se vjen Marsel, klubi të dëshiron suksese në arritjen e objektivave tona të përbashkëta 💪🧡🖤
#FCBallkani
#MarselIsmajlgeci
