Allegri: S’ka nevojë të flasim, duhet vetëm të heshtim dhe të punojmë - NACIONALE

Allegri: S’ka nevojë të flasim, duhet vetëm të heshtim dhe të punojmë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Max Allegri është shfaqur shumë i nervozuar në fund të ndeshjes kundër Benficas, pasi skuadra e tij humbi me rezultar 1:2, për ta thelluar kësisoj krizën në të cilën po kalon.

Sot, trajneri italian shënoi një tjetër rekord gri, pasi regjistroi humbjen e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve. Diçka të tillë nuk i kishte ndodhur asnjëherë.

Ai refuzoi që të japë kritika në drejtim të lojtarëve të tij apo edhe të jetë vetëkritik. Krejt çfarë është munduar të arsyetohet ka të bëjë me gjendjen e rënduar psikike, e cila i kishte shoqëruar në këtë pragsfidë.

Sidoqoftë, kontestimi nga tifozët e Juventusit në drejtim të tij tashmë është i qartë. Edhe sonte në “Allianz Stadium” kishte bërtitma që kërkonin shkarkimin e tij. Bonucci si kapiten i skuadrës theksoi se tifozët me të drejtë kanë kontestuar dhe vërshëllyer skuadrën.

Jo shpjegime, heshtje!

Allegri ishte shumë konfuz kur u intervistua nga “Sky Sport Italia” në fund të ndeshjes, duke mos dhënë ndonjë përgjegjësi për rezultatet që po i shënon “zonja e vjetër”.

“Është e vështirë të shpjegohet ajo çfarë ndodhi. Pas rezultatit 1:2 ndeshja ishte e mbyllur. Paraqitja ishte e keqe edhe në rast se barazonim. Tani s’duhet të flasim, por vetëm të punojmë dhe të mendojmë rreth fushës”
, potencoi ai.

Ai rrëfeu edhe se çfarë i ka thënë skuadrës pas një goditje të radhës që morën në Ligën e Kampionëve, ku tashmë u është ndërlikuar shumë kalimi në fazën e mëtejm të eliminimit.

“Skuadrës i thashë që në futboll ndodhin këto momente dhe duhet të dalim si grup nga kjo situatë. Në Ligën e Kampionëve tani gjërat janë të ndërlikuara, por epilogu nuk është mbyllur. E kuptoj momentin e vështirë që po e përjeton skuadra. Në këtë situatë mjafton një penallti t’ia japësh kundërshtarit për të ndryshuar gjithçka”
, theksoi ai.

Mediet italiane bëjnë të ditur se në fund të ndeshjes drejtuesit e Juventusit kanë ftuar një mbledhje urgjente, pasi kjo që ndodhi ishte jashtë pritshmërive të tyre.

Barazimi ndaj Salernitanas 2:2 në kampionat u kamuflua me gabimin e gjyqtarit Marchesano që ia mohoi Milikut një gol të rregullt.

Tani në bankën e të akuzuarve për paraqitje të dobët janë shumë lojtarë. Mesfusha vijon të jetë reparti ku Juventus çalon më së shumti, pavarësisht disa përforcimeve që ka bërë gjatë afatit kalimtar veror, siç ishin Paredes apo Pogba. Ky i fundit akoma është në pritje për t’u kthyer nga lëndimi, ndërsa mesfushori argjentinas ende është larg formës së tij më të mirë.

Sidoqoftë, tani Juventus pritet ta sqarojë pozitën e trajnerit dhe mbetet të shihet se çfarë masash do të ndërmerren në vazhdim.

Lajme të ngjashme