Ademi e sfidon ligjin: S'ka njeri në botë që më bën të jap dorëheqje - NACIONALE

Ademi e sfidon ligjin: S'ka njeri në botë që më bën të jap dorëheqje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, sonte u zotua se kurrë nuk do të japë dorëheqje, ndonëse është duke u rigjykuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me akuzën që i rëndon për detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Futbolli i Kosovës është në njërin prej momenteve më delikate të tij, pasi Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po dështon të licencohet nga Komisioni për Licencim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Komisioni gjegjës ka verifikuar se ka një mori shkeljesh në federatë, të cilat janë bërë pengesë në licencim të saj. Njëra prej pengesave vjen nga vetë kryetari i saj në fuqi, Agim Ademi, i cili është duke u përballur me ligjin.

Siç duket as përgjegjësia ndaj ligjit dhe ngecja e futbollit kosovar Ademit nuk i bëjnë përshtypje. Ai u zotua se nuk do të japë dorëheqje asnjëherë, anipse këtë gjë ia kërkoi deklarativisht MKRS.

“Asnjëherë në jetë nuk jap dorëheqje. Kurrë nuk jap dorëheqje mbajeni në mend. Nuk ka njeri në botë që më shtinë me dhanë”, tha ai në emisionin “Rubikon”.

Ademi është në rigjykim që prej vitit 2019, pothuajse tërë mandatin e parë dhe tani dhe një vit brenda mandatit të dytë. Kodi Disiplinor i FIFA-s, neni 71, e ndalon një gjë të tillë.

Mungesa e përgjegjësisë morale

Klubet e Kosovës janë në vështirësi financiare. Për shkak se i pari i FFK-së ka probleme me ligjin dhe se çalon tërë hallka e institucionit që ai udhëheq, ka cunguar e nuk është aprovuar kërkesa për licencim, që ka prodhuar edhe pasoja zinxhirore – siç është pamundësia për të përfituar nga ligji për sponsorizim. Ligj ky që i liron bizneset nga 30% e taksave.

Duke parë që për momentin FFK nuk plotëson kushtet për licencim dhe se Ademi ka probleme me ligjin, atëherë është kërkuar edhe dorëheqja e tij.

Ademi me deklarimin e tij të sontëm se nuk e ka ndër mend të japë dorëheqje dëshmoi edhe një herë se ka mungesë serioze të shkallës së përgjegjësisë morale.

Në vendet perëndimore kemi qenë dëshmitarë në shumë raste se si zyrtarët e lartë kanë lëshuar pe dhe janë dorëhequr në momentin që instancat ligjore i kanë hetuar ata. Një akt i tillë do të mund të quhej si minimumi i përgjegjësisë morale. Diçka e tillë nuk e karakterizon Ademin.

Lajme të ngjashme