Abe ia shuan ëndrrën për titullin e botës në xhudo Distria Krasniqit - NACIONALE

Abe ia shuan ëndrrën për titullin e botës në xhudo Distria Krasniqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Uta Abe ia ka shuar ëndrrën Distria Krasniqit për ta fituar titullin e parë në Kampionatin Botëror të Xhudos, duke e mposhtur në gjysmëfinale të hënën.

Kampionia olimpike nga Kosova nuk arriti t’i bëjë ballë xhudistes 22-vjeçare nga Japonia në luftën për një vend në finale në kategorinë -52 kilogramë në Botërorin e Xhudos Doha 2023, raporton Nacionale.

Xhudistja 27-vjeçare nga Peja e nisi ngadalë luftën dhe ishte shumë pasime, duke i marrë dy shido të njëpasnjëshme (kartonë të verdhë), dhe rrezikonte shidon e tretë fatale qysh herët në betejë.

Abe e kishte luftën në kontroll nga fillimi dhe hodhi kosovaren në tatami me një lëvizje mjeshtërore dhe e mbajti atë për 10 sekonda të mbërthyer, duke e fituar takimin me ippon.

Krasniqi mbetet pa fitore kundër Abes edhe pas përballjes së tretë me të.

Kjo disfatë nuk do të thotë fundi për Krasniqin, megjithatë, e cila do të mbetet në luftë për medaljen e bronztë, ku do të përballet me italianen Odette Giuffrida.

Kampionati Botëror është titulli i madh i vetëm që i mungon Krasniqit në karrierën e saj të shquar.

Ajo e ka fituar një herë botërorin e xhudos, por si juniore në vitin 2015 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Krasniqi e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se t'i shënonte tri fitore për të arritur deri në gjysmëfinale. Tani ajo do të shpresojë të kthehet nga Katari me medaljen e bronztë të paktën.

Krasniqi i ka tashmë dy medalje të bronzta nga botëroret e xhudos në vitet 2019 dhe 2022, në një kategori tjetër, atë -48 kilogramë.

Lajme të ngjashme