Abakarov ia fiton Shqipërisë medaljen e artë midis Beogradit - NACIONALE

Abakarov ia fiton Shqipërisë medaljen e artë midis Beogradit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shqipëria me mundësin e vet, Zelmikhan Abakarov, ka dalë me medalje të artë nga Beogradi, ku po mbahet Botërori i kësaj disipline sportive në kategorinë -57 kilogramë.

Në finale përfaqësuesi i Shqipërisë u përball me Thomas Gilman, ku arriti ta tregojë kapacitetin e vet, duke e mposhtur me epilogun 7-2. Kjo përballje ishte në kategorinë e lirë.

Pas këtij suksesi historik, i menjëhershëm ishte reagimi i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, i cili ka uruar sportistin me pasaportë shqiptare që ia ka arritur ta etablojë këtë triumf.

Shqipëria triumfon midis Beogradit

Me plot gëzim KOKSH ka njoftuar për suksesin e arritur nga Abakarov në Botërorin e mundjes që po zhvillohet në kryeqytetin serb.

Ky ishte njoftimi dhe urimi i tyre i plotë:

“Në majë të Botës dhe medalje ari për mundjen shqiptare. Zelimkhan Abakarov fiton në finalen e madhe, duke munduar amerikanin Thomas Patrick Gilman dhe valëvitur flamurin kuqezi në mes të Beogradit. Mundësi shqiptar dominon në çdo sekondë të ndeshjes, duke e merituar plotësisht medaljen e artë e duke u shpallur kampion Bote në peshën 57 kg. E jashtëzakonshme, sepse për herë të parë në mundje, një sportist shpallet kampion Bote për Shqipërinë”, nënvizon KOKSH.

Rrugëtimi i Abakarov deri te medalja e artë

Gjatë ditë së djeshme mundësi që përfaqëson shtetin shqiptar, Zelimkhan Abakarov, ka mposhtur mundësin serb Stevan Micic në gjysmëfinale të kategorisë -57 kg.

Mundësi me prejardhje çeçene që përfaqëson Shqipërinë tash e disa kohë, për të ardhur deri në finale iu nevojitën katër luftëra.

Fillimisht në kualifikime mposhti kolumbianin Tigreros me rezultat 10:0, për ecur tutje në 1/8 e më të mirëve, ku kishte punë me kubanin Ortega, të cilin e mposhti njëlloj 10:0.

Në çerekfinale, Abakarov luftoi me Abdullaev nga Uzbekistani, të cilin e mposhti 13:2 për të arritur në gjysmëfinale.

Siç u cek më lartë në gjysmëfinale u përball me mundësin nga Serbia, që kishte përparësinë që po luftonte në vendin e tij, por kjo nuk e çorientoi fare Abakarovin, i cili fitoi edhe në këtë luftë.

Tani ai ka gëzuar një komb të tërë, atë shqiptar, duke përfunduar në formën më të përsosur Botërorin e tij, për t'i sjellë kësisoj Shqipërisë medaljen e artë.

Lajme të ngjashme