Vrasja në Itali: U vazhdohet masa e paraburgimit të arrestuarve, Manxhuka mohon çështjen e borxhit
Në orët e vona të mëngjesit të sotëm është mbajtur seanca e parë dëgjimore në Gjykatën e Trevisos në lidhje me rastin e vdekjes së Ragip Kolgecit, ku në bankën e të akuzuarve dolën Afrim Manxhuka dhe Valmir Gashi, me ç'rast u është vazhduar masa e paraburgimit.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00 në qytetin veri-lindor të Italisë, në Treviso, ku nga një përleshje e vrazhdë mes dy grupeve të shtetasve kosovarë, ndërroi jetë Ragip Kolgeci, 52-vjeçar.
I ndjeri para pak javësh kishte migruar në Itali dhe ishte duke punuar në një firmë familjare. Një konflikt me një sipërmarrës tjetër është përshkallëzuar deri në humbjen e një jete.
Forcat italiane të rendit dhe sigurisë pasi i arrestuan të dyshuarit pas pak orësh me të ndodhur akti makabër, ia kanë lënë Prokurorisë që të merret me këtë rast. Pikërisht në mëngjesin e sotëm është mbajtur seanca e parë dëgjimore, kur dy të arrestuarit, Afrim Manxhuka dhe Valmir Gashi, shtetas kosovarë, janë paraqitur para Gjyaktës në Treviso. Të dytë mësohet se janë edhe të afërm, gjegjësisht dajë dhe nip.
Afrim Manxhuka, 50-vjeç, ka qenë i përfaqësuar nga avokati italian Mattia Visintin. Me të përfunduar seanca, avokati në fjalë është deklaruar për mediet lokale. Ai ka thënë se Afrim Manxhuka ka shfrytëzuar të drejtën e të mbrojturit në heshtje dhe se u është vazhduar masa e paraburgimit dy të pandehurve.
“Klienti im për momentin ka shfrytëzuar të drejtën që të mos u përgjigjet pyetjeve, duke dhënë gatishmërinë e plotë që të flasë pas pak ditësh. Sa i përket masës së paraburgimit, kemi kërkuar një masë tjetër, si arresti shtëpiak, meqë nuk ka ndonjë rrezik për të ikur”, ka thënë avokati duke dalur nga Gjykata.

Ndër të tjera, siç ka thënë ai, klienti i tij (Afrim Manxhuka) ka mohuar çdo lidhje me ndonjë borxh, ashtu siç është përfolur me të madhe nga mediet italiane dhe nga vetë disa pjesëtarë të familjes së viktimës.
“Do të ftohet sërish në seancë dëgjimore. Jemi ne ata që kërkojmë një gjë të tillë, por vetëm sa të jetë në gjendje më të mirë shëndetësore, sepse është hospitalizuar me disa lëndime jo të vogla në kokë. Gjithsesi, ai mohon çdo lidhje me ndonjë borxh”, tha Visentin.
Gjithnjë duke parafrazuar deklaratën e avokatit italian, Afrim Manxhuka ka mohuar se ndihet fajtor për atë çfarë ka ndodhur: “Nga ajo mbrëmje ka treguar se konteston çdo borxh dhe që nuk ndihet përgjegjës për asgjë. Fatkeqësisht kur ka një të vdekur të gjithë mbetemi të tronditur.”
Avokati e pranoi se dy familjet janë njohur më herët, duke demantuar edhe një herë se zanafilla e problemit ishte borxhi i aluduar prej 500 eurove.
“Njiheshin qe disa vite. Nuk ka asgjë të veçantë. Nuk ka asnjë çështje substanciale. Një fjalë e ngre tjetrën. Ka pranuar një goditje në kokë dhe nuk mban mend asgjë, pasi ka vajtur me nxitim për t’u mjekuar në spital”,
nënvizoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve se përse kanë vendosur të takoheshin atë mbrëmje para se të niste konflikti, ai u përgjigj: “Njiheshin prej shumë vitesh, sepse z. Manxhuka jeton këtu qe 17 vjet. Ka një ndërmarrje në ndërtimtari. Ka punëtorë. Ka një familje po ashtu, siç ka edhe fëmijë të rinj, e që janë të mitur. Me pak fjalë, është i integruar në shoqëri dhe në komunitetin e punës.”
Kjo ngjarje ka zënë ballinat e shtypit italian. Zona urbane ku ka ndodhur ky akt i rëndë njihet si e qetë në qytetin e Trevisos, aty ku gravitojnë rreth 4500 shtetas kosovarë.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e zyrtarëve politikë lokalë dhe rajonalë, sikurse edhe të atyre vendimmarrës. Ka qenë kryetari i Komunës së Treviso, z. Mario Conte, ai që ka deklaruar se shumë shpejt do të kërkojë një takim urgjent me Konsullatën e Republikës së Kosovës, sepse, siç thotë ai, këto vepra janë të papranueshme dhe nuk përkojnë me kulturën e qytetit të tyre.
Familja e viktimës, ajo Kolgeci, për shtypin lokal në Itali është prononcuar në 24 orët e fundit, duke e etiketuar si “bandë” palën tjetër. Nga këtu ka lindur një frikë e madhe në raportimet e shtypit italian se do të ndiqet Kodi i Kanunit, duke paralajmëruar hakmarrje të mundshme mes familjeve.
Ndërkohë, në bazë të informatave të shtypit në Itali, gruaja e të ndjerit së bashku me vajzat e tij kanë arritur në Kosovë, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit më të dashurit të tyre.