Viti 1844: Kur Prishtina kishte vetëm 779 shtëpi, 6 shtëpi ishin të hebrenjve
Argon Islami, historian i njohur, ka shkruar një artikull të titulluar “Xhamitë e Prishtinës dhe besimi fetar”, në të cilin ka treguar për ndryshimet demografike në aspektin fetar në kryeqytetin e Kosovës. Ndonëse sot kryeqytet me qindra mijëra banorë, dikur Prishtina ishte një vendbanim periferik dhe me popullatë të vogël.
I botuar në uebfaqen “Prishtina në histori”, Islami ka evidentuar disa ndryshime interesante. Përderisa në fillimin e sundimit osman, Prishtina ishte me shumicë krishtere dhe myslimanët kishin vetëm prezencë simbolike.
“Respektivisht deri në vitin 1526, ku ishte prezentë vetëm bashkësia fetare e myslimanëve, që nënkupton se nuk kishte prezencë të lagjeve myslimane siç do të ndodh pas kësaj date, kur lagjet myslimane fillojnë të shtohen nga viti në vit, për të ardhur deri në shuarjen totale të lagjeve të krishtera” – ka shkruar ai.
Përveç ndryshimit të demografisë fetare, Islami ka treguar se pas shtimit të popullsisë myslimane në Prishtinë ka nisur edhe ndryshimi i emrave të lagjeve.
“Shuarja e lagjeve erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve fetare, e cila reflektohet në defterët osman të shekujve të parë. P.sh. në regjistrimin e vitit 1477, lagja Metropolit kishte 34 shtëpi dhe pas 92 viteve, ky numër kishte rënë në 8 shtëpi.
Ashtu siç u pa në tabelat e mëhallëve të Prishtinës, tkurrja e besimit të krishterë në mesin e banorëve të Prishtinës bëri që lagjet e krishtera të marrin emra mysliman. Kështu, shkrirja, apo tjetërsimi i mëhallëve të krishtera në mëhallë myslimane, nënkupton rritjen e numrit të të konvertuarëve në islam dhe shtrirjen e tyre drejtë mëhallëve të vjetra të cilat tanimë identifikoheshin me emra të myslimanëve” – ka theksuar ai.
Në artikullin e tij, historiani Islami ka treguar edhe për një statistike interesante të mesit të shekullit 19-të. Prishtina atëbotë, sipas defterit osman, kishte vetëm 779 shtëpi.
“Megjithatë, përkundër se elementi i krishterë në Prishtinë pësoi rënie, ai nuk u zhduk. Kjo argumentohet në defterin e vitit 1844, sipas të cilit, Prishtina formohej nga 12 lagje, me 779 shtëpi, prej tyre 298 ishin të krishtera dhe 6 hebreje (jahudi). Përderisa këta të fundit (hebrenjtë) jetonin brenda qytetit, 135 shtëpi të krishtera evidentohen në mëhallën Jarar Çeribashi dhe Hasan Bej, ndërsa pjesa tjetër prej 163 sosh, shtriheshin në periferinë e kazasë” – ka shkruar ai.
Në një artikull tjetër, Islami ka treguar se në regjistrimet e para osmane të shekullit 15-të, Prishtina figuronte si “nahi e varur nga sanxhaku i Vilçiterinës”.
“Prishtina, e cila në regjistrimet e para osmane të shekullit XV, figuron si nahije e varur nga sanxhaku i Vilçiterinës.1 Në regjistrimin e vitit 1530, që përkon me kohën e sundimit të Kanuni Sulltan Sulejmanit (1520–1566), regjistrohet si kaza e këtij sanxhaku (Vilçiterinës), e cila formohej nga nahija e Prishtinës, Moravës (treva e Gjilanit) dhe Llapit. Kjo ngritje e Prishtinës në rangun e kazasë, erdhi si rezultat i zhvillimit ekonomik të qytetit gjatë dy shekujve të parë osman, gjë që ndikoi edhe në rritjen e numrit të popullsisë” – ka shkruar ai.
* Në fotografinë e ballinës shihet xhamia e Jashar Pashës në vitin 1913, e fotografuar nga fotografi francez Auguste Leon, sot pjesë e koleksionit Albert Kahn.