TRUST-i: Protestuesit tregojnë pse duan t’i marrin paratë e pensioneve që t’i përdorin tash - NACIONALE

TRUST-i: Protestuesit tregojnë pse duan t’i marrin paratë e pensioneve që t’i përdorin tash

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë qytetarë të vendit kanë dalë sot në protestë për të kërkuar tërheqjen e parave të Trustit. Pse këta qytetarë duan të marrin paratë e pensioneve të tyre për t’i përdorur tash?

“Po pak bile me shty me to, gjendja e rëndë ekonomike pernime do me na mbytë.”

Thuajse çdo person i cili kishte dalë në protestën e sotme tek objekti i qeverisë së Kosovës, po fliste për një shqetësim të përbashkët: gjendja e rënduar ekonomike në vend.

Në të vërtetë ishte një siklet momenti ku secili tregonte se sa të vështirë po e kanë t’ia dalin fundit të muajit, ani pse për gjendjen jo të mirë ekonomike dëgjojmë çdo ditë.

Xhemajl Trolli, i cili ka ardhur nga Suhareka thotë se gjendja ekonomike e popullit po vërehet në këtë protestë, ku shumica për shuma jo më të mëdha se 200 euro kanë dalë të kërkojnë Trustin.

“Prej orarit të punës erdhëm këtu në protestë, e arsyeja është gjendja e rëndë ekonomike që na ka kaplu. Kërkojmë djersën tonë që e kemi fitu, me e tërhjekë me anë të Trustit. Nësë s’na kish' ndihmu, tybe n’kisha ardhë këtu. Jemi me kushte të këqija. E këta që s’po dojnë me leju tërhjekjen, e thjeshtë është bre, mos i tërhjekni nësë keni pare e nuk ju duhen”, thotë Xhemajl Trolli.

Ndërsa një protestues tjetër thotë se çmimet që janë rritur e kanë rënduar jetesën e tij, andaj i njëjti mendon që pak në ushqim do t’ia ndihmonte blerjen kjo shumë.

“Sado-kudo na kishin ndihmu pak. Janë rritë shumë (çmimet) senet, një shtymje na kish' ba, pak bile me hangër e me pi për naj ditë”, tha Salih Koliqi.

Hiç e kënaqur nuk është një protestuese tjetër, e cila tha se nuk i kupton deputetët që nuk e votuan dje në komision projektligjin për trustin, e ku të njëjtit i kishin tërhjekur 10 përqindëshin vitin e kaluar.

“U ndiva keq për deputetët që votuan kundër, pasi që të njëjtit ishin që herën e kaluar kishin tërhjekur 10 përqindëshin”, thotë Fjolla.

Tutje ajo shton se kjo tërheqje e parave do ta zbuste pak varfërinë.

“Gjendja financiare është e rënduar, çmimet janë rritë, po është e papërballueshme për qytetarët. Kjo shumë do ta zbuste pak varfërinë”, përfundon Fjolla.

Organizatori i protestës, Adnan Jashari, i cili i mblodhi qindra qytetarë për të kërkuar djersën e tyre me anë të Trustit, u shpreh se (sic) “durimi ka humbur”, andaj qeveria duhet ta lejojë trustin.

“Gjendja në të cilën gjendemi është urgjente për me e miratu trustin, sepse çdo gjë është shtrenjtu. Nuk ka kohë më shumë, durimi ka humbur, lejoni trustin qeveri”, tha Jashari.

Tutje ai paralajmëroi se do të ketë protesta më të mëdha, nëse nuk kalon ligji për tërheqjen e trustit në kuvend javën e ardhshme.

“Nësë javën e ardhshme nuk futet në rend të ditës pika për Trustin, atëherë do të bëhet protestë edhe më e madhe”, shtoi Jashari.

Në këtë protestë të pranishëm ishin edhe deputetët e AAK-së, të cilët janë deklaruar që nga fillimi pro tërheqjes së 30 për qindshit të Trustit.

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni për Buxhet nuk ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson tërheqjen e 30 për qind nga Fondi i Sigurimeve Pensionale.

Deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër, teksa nga minoritetet, Verica Ceraniq e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.

Lajme të ngjashme