Tjetër lajm i rremë nga VV-ja e Shqipërisë, Feraj: Rrahman Jasharaj doli haptas me PDK-në
Elvis Hoxha i Lëvizjes Vetëvendosje, pak më herët, publikisht e pranoi se “u shërbye” me një lajm të rremë kur tha se kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, ka qenë anëtar i një partie serbe. Nuk kaloi shumë kohë, një tjetër lajm të rremë e komunikoi edhe Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.
Feraj përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, e ka akuzuar Jasharajn për bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës, duke pretenduar se qëndrimi i tij ishte partiak.
“PDK dhe Jashari e quajnë qeverisjen Kurti përgjithësisht diktaturë. Grenelli i Vuçiqit e pat quajtur specifikisht fashiste. Disa që ju bashkuan nuk e dinin, disa nuk donin ta dinin identifikimin e tij: specifikisht me PDK-në, përgjithësisht me opozitën (jashtë e brenda Kosovës)”, ka shkruar Feraj.
Deklarata e Ferajt, nuk qëndron pasi që dihet se Jasharaj ka zhvilluar takime ndaras me dy liderët opozitarë gjatë ditës së sotme, Memli Krasniqin nga PDK dhe Lumir Abdixhikun nga LDK. Ftesë kishin pasur të gjitha partitë parlamentare.
Ndërkaq, Elvis Hoxha më herët kërkoi falje për deklaratat e tij ndaj kryesindikalistit, Rrahman Jasharaj, për të cilin pretnedoi se ka qenë anëtarë i partisë serbe.
Hoxha përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se për deklaratën e tij, “u bazua” në lajmet që u shpërndanë në media.
“Nuk kam turp të kërkoj falje, sidomos nëse i kam rënë në qafë z. Rrahman Jasharaj duke u bazuar në një lajm të gabuar që u shpërnda nëpër media lidhur me personin dhe të shkuarën e tij. Nuk e di si qëndron e vërteta lidhur me këtë lajm. Siç duket informacioni, edhe pse i shpërdarë nëpër disa media, paska qenë i pakonfirmuar. Kështu që i kërkoj falje, jo thjesht, por falje me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Pak më intereson se si më ka kualifikuar z. Jasharaj në një shprehje të tij publike”, ka shkruar Hoxha.
Pas akuzave të rënda të bëra nga Elvis Hoxha i Vetëvendosjes, ka reaguar edhe Rrahman Jasharaj për gazetën Nacionale.
Ai ka treguar se akuzat e rënda të z. Hoxha i kanë shkaktuar madje edhe telashe shëndetësore.
Nacionale me anë burimesh ka mësuar se z. Jasharaj vuan nga shtypja e lartë e gjakut, dhe e cila i “ngritet me raste tepër shumë pa arsye”. Për më tepër, edhe analizat shëndetësore të fundit është mësuar që nuk kanë dhënë rezultate të mira.
Jasharaj në deklaratën e tij dhënë Nacionales është shfaqur jashtëzakonisht shumë emocional, veçanërisht kur i duhet të flas për fëmijët e tij.
“Që nga fëmijëria kur jam kthyer nga Turqia, një jetë unë dhe familja ime ia kemi kushtuar me gjithë atë skamje i rritur nga një nënë malësore, me tërë atë skamje, atdheut. Kolegët e mi e dinë...” - u shpreh z. Jasharaj fillimisht.
Ai ka deklaruar se deklarata e Hoxhës është “skajshmërisht e rreme dhe e rëndë”.
