Robelli i ashpër me ambasadorin gjerman: S'keni bërë asgjë kundër krimit në veri
Gazetari Enver Robelli, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili sot tha, se është absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për target ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë kundër Ukrainës.
Përmës një postimi relativisht të gjatë në Facebook, Robelli ka thënë se është absurde që Gjermania nuk ka bërë asgje për ta luftuar krimin në veri.
Tutje, gazetari që vepron në Zvicër, ka kritikuar shtetin gjerman për përkrahjen, që sipas tij, i ka dhënë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
"Por, zoti ambasador, lieber Herr Botschafter, a nuk është absurde që sidomos vendi juaj, Gjermania, nuk ka bërë asgjë kundër krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel gjatë qëndrimit në Mitrovicën e Veriut më 15 shkurt 2018 e pati përshkruar veriun e Kosovës si territor në duar të krimit të organizuar dhe pati thënë këtë situatë Perëndimi nuk mund ta durojë më? Në vend se t’i bëni presion autokratit serb, ia keni shtruar qilimin e kuq në Berlin", ka shkruar Robelli.
Postimi i tij i plotë:
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jörn Rohde paska thënë: “Absurde të rrezikohet konfrontim i dhunshëm për shkak të targave”.
E vërtetë, absurde do të ishte – dhe e tmerrshme! Dhe duhet bërë gjithçka që kjo të evitohet.
Por, zoti ambasador, lieber Herr Botschafter, a nuk është absurde që sidomos vendi juaj, Gjermania, nuk ka bërë asgjë kundër krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel gjatë qëndrimit në Mitrovicën e Veriut më 15 shkurt 2018 e pati përshkruar veriun e Kosovës si territor në duar të krimit të organizuar dhe pati thënë këtë situatë Perëndimi nuk mund ta durojë më? Në vend se t’i bëni presion autokratit serb, ia keni shtruar qilimin e kuq në Berlin.
Edhe një çështje, zoti ambasador: që nga viti 2000 deri më 2022 serbët në veri të Kosovës nuk kanë paguar rrymë. Kanë refuzuar! Atyre ua kanë paguar rrymën qytetarët e varfër të Kosovës: rreth 300 milionë euro! A ka qenë absurde kjo? Po, zoti ambasador, ka qenë absurde, por vendi juaj, Gjermania, ka heshtur. Siç ka heshtur me vite të tëra edhe ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës. Do të ishte mirë që nga gabimet e së kaluarës vendi juaj, Gjermania, të nxirrte mësimet e duhura. Sidomos pas 24 shkurtit 2022.