Rritet deficiti tregtar në shkurt, tkurren eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së - NACIONALE

Rritet deficiti tregtar në shkurt, tkurren eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Tregtia e jashtme e Kosovës vazhdon të mbetet me performancë të dobët, ku edhe në publikimin e muajit shkurt vërehet përkeqësim i normës së deficitit. ASK-së, eksporti mbuloi vetëm 15 për qind të importit, një shifër e cila tregon një diferencë të lartë në mes të mallrave të eksportuara dhe atyre të eksportuara.

Sipas publikimit të shkurtit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar ka shënuar rritje për 25.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Eksporti ka vazhduar rrjedhën negative edhe pas janarit duke arritur vlerën e vetëm 70.3 milionë euro. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, eksporti ka shënuar rënie për 3.9 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, importi ka arritur vlerën prej 467.8 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2024 kishte vlerën 70,3 milion Euro, ndërsa importi 467,8 milion Euro, që është një rënie prej (-3,9%) për eksport, si dhe një rritje prej 19,7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.” – thuhet në njoftimin e ASK-së.

Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë pësuar një rënie duke reflektuar një situatë të vështirë të bizneseve kosovare në tregun evropian.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 21,9 milion Euro, ose rreth 31,1% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-7,1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,4%), Italia (4,5%), Holanda (2,5%), etj.” – thuhet në njoftim.

Pjesëmarrjen me të madhe në importet e Kosovës gjatë muajt shkurt e pati Turqia me 14.4 për qind dhe Kina me 9.5 për qind.

Sipas kategorive kryesore të eksportit, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përfaqësojnë 27,9 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar përfaqësojnë 15,4 për qind të eksporteve totale.

Nga ana tjetër, importet përqendrohen kryesisht në produktet minerale me 15,6 për qind gjatë shkurtit dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.8 për qind.

Lajme të ngjashme