REL: BE-ja synon të ashpërojë regjimin e vizave, rrezikohet edhe Kosova
Radio Evropa e Lirë raporton se Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë këtë vit mekanizmin e pezullimit të vizave.
Kjo duke ia bërë më të lehtë Brukselit të heqë regjimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Mekanizmi aktual i pezullimit, në fuqi që nga viti 2018, mund të aktivizohet në rastet e abuzimit të qartë – për shembull, një rritje e numrit të qytetarëve të vendeve të treta që qëndrojnë më gjatë se limiti 90-ditor apo që përdorin udhëtimin pa viza për të kërkuar azil në BE. Deri tani, blloku ka pezulluar liberalizimin e vizave vetëm një herë: fillimisht përkohësisht, më pas përfundimisht, për shtetin e Paqësorit Jugor, Vanuatu.
Në terma të përgjithshëm, ka katër fusha kryesore ndryshimesh, pasi Brukseli synon ta bëjë mekanizmin e pezullimit të vizave një mjet ndëshkimi më të besueshëm. Së pari, liberalizimi i vizave mund të pezullohet nëse ekziston një perceptim për mospërputhje midis politikës së përgjithshme të vizave të BE-së dhe vendit të tretë pa viza.
Ky ishte rasti në vitin 2022, kur Serbia lejoi udhëtim pa viza për shtetasit e vendeve si Burundi, India dhe Kuba. Brukseli sugjeroi se shumë prej këtyre individëve po përdornin Serbinë si një “derë të pasme” drejt BE-së. Pas presionit nga Komisioni Evropian, Beogradi hoqi disa nga këto marrëveshje. Megjithatë, sipas legjislacionit të propozuar, sjellje të tilla mund të ndëshkohen më lehtësisht.