Reagojnë nga Qeveria: Askush nuk guxon të abuzojë në emër të pacientëve - NACIONALE

Reagojnë nga Qeveria: Askush nuk guxon të abuzojë në emër të pacientëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Institucionet shëndetësore jo vetëm që kanë dështuar të menaxhojnë procesin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike, por në deklarimet publike ato janë shfaqur konfuze edhe në pasqyrat financiare, sidomos për borxhet ndaj subjekteve private.

Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore kanë thënë se spitaleve private u kanë borxh 1.6 milionë euro, Qeveria ka ofruar të dhënën prej afro rreth 10 milionë eurove, ndërsa Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove.

Nga viti 2013 deri në vitin 2020 shteti i Kosovës për spitalet private ka paguar 70 milionë euro, ndërsa u detyrohet atyre edhe afro 30 milionë të tjera

Por as në spitalet turke, pacientët kosovarë nuk e kanë gjetur rehatinë e premtuar nga shteti i Kosovës për kurimin e sëmunndjeve nga të cilat ata lëngojnë. Shumë parrëgullësi që po ndodhin atje, janë shfaqur së fundmi nga grupi Koha, përmes hulumtimeve që ky medium ka publikuar që disa ditë.

E lidhur më këtë skandal, pas disa ditëve kanë reaguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP)”, thuhet në reagim.

Tutje aty cilësohet se për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullësinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj.

“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen”.

Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Lajme të ngjashme