Premtohej pesëfishimi i inspektorëve, në Qeverinë Kurti u zvogëlua numri i tyre - NACIONALE

Premtohej pesëfishimi i inspektorëve, në Qeverinë Kurti u zvogëlua numri i tyre

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në fushat zgjedhore dhe pas saj, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar rritje të numrit të inspektorëve të punës. Këtë premtim, Kurti e kishte shkruar në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas marrjes se pushteti, rritjen e numrit të inspektorëve të punës ai e kishte inkorporuar edhe në programin qeverisë.

Por, në dy vitet e para të qeverisjes nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Madje, ky numër është zvogëluat. Derisa në vitin 2020 ishin 39 inspektorë të punës, tani numri i tyre është zvogëluar.

Inspektorati i Punës nuk kishte arritur ta shtonte numrin e inspektorëve përmes konkurseve të shpallura gjatë vitit 2022.

Përmes këtyre konkurseve, ishte arritur të plotësohen vetëm 8 vende të mbetura bosh.

Premtimi i Kurtit

Në programin e LV-së për zgjedhjet e shkurtit 21, i cili njihej si "Prioritetet për krejt qytetarët drejt së ardhmes", ishte skalitur edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës si nder prioritet kryesore.

Në faqen 11 të këtij programi, ku flitej për të drejtat e punëtorëve, jepeshin zotime se do të mbrojnë të drejtat e punëtore, duke rritu numrin e inspektoreve.

"Për punëtorët e punëtoret ne do të sigurohemi që ta kenë të garantuar kushtet e dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Gjithashtu do pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë", ishte thënë në këtë program.

Pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, ai këtë premtim e kishe bërë edhe pjesë të programit të qeverisë.

Derisa kishte prezantuar para deputetëve programin e qeverisë, Kurti kishte përmendur edhe çështjen e inspektorëve.

E krahas disiplinës së shtuar fiskale dhe formalizimit të ekonomisë, do të mbrojmë të drejtat e punëtorëve dhe do të përmirësojmë kushtet e tyre të punës duke shumëfishuar numrin e inspektorëve sepse zhvillimi ekonomik duhet të rrisë mirëqenien dhe mundësitë për të gjithë pa shfrytëzuar e shkelur punëtorët dhe të drejtat e tyre”, kishte thënë Kurti.

Kritika për mosmbajtjen e premtimit

Për mosshtimin e numrit të inspektorëve, qeveria po kritikohet nga opozita dhe Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka vlerësuar se kjo është edhe njëra nder arsyet e largimit të njerëzve nga Kosova.

Le që nuk u pesëfishua numrin e inspektorëve të punës (lexo: programi qeverisës “krejt dhe drejt”), por nga 39 sa ishin, paska zbritur në 38. Trajektore fatale, me tragjedi të paralajmëruara tashmë. Pak inspektor, pak punë, aspak shqetësim për kushtet e punëtorëve. Tani pyesim pse ikin njerëzit nga këtu edhe pas “shpresës së re”. Popo, ikin, nuk dalin zakonshëm. Logjika thotë se tash ata do të duhet t’i mbante besimi, apo jo? Qeveria në secilin moment po thërret për sakrificë, por nuk po jep përkujdesje”, ka shkruar Rrusta në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas saj, premtimi për rritje të inspektorëve ka qenë vetëm retorikë e Kurtit.

Një kënd interesant ky, me pa qysh ‘ndryshimi i madh, nevoja për transformim’ ishin vetëm retorikë, populizëm dhe si fushatë për luftimin e oponentëve. VV keqpërdori gjendjen e rëndë ekonomike dhe varfërinë e njerëzve për tu ngritur për vete. Iu foli njerëzve sesi pushteti i vjetër ua vjedhi bukën e gojës. U tha që nuk është problem rendi ekonomik, por korrupsioni është burimi i pabarazisë”, ka vlerësuar ajo.

Kritika edhe më të ashpra ka pasur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai ka treguar për gazetën Nacionale se si vazhdimisht numri i inspektorëve të punës ka shkua duke u zvogëluar.

Sipas informacioneve tona, po flasim se në vitin 2014 kemi pasur gjithsej 63 inspektorë të punës dhe tani kemi ardhur në një situatë që deri para një kohe shumë të shkurtër kemi pasur 28 inspektor. Pastaj, kam informacione se janë marrë edhe 8 inspektorë tjerrë të ri, që do të thotë se janë 36 inspektorë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka bërë me dije se zvogëlimi i numrit të inspektorëve ka ndodhur për arsyeje të ndryshme.

Kjo ka ndodhur për shumë arsye. Disa inspektorë kanë sëmundje kronik dhe ata nuk mund ta vazhdojmë punën. Një numër i tyre kanë vdekur, pastaj disa prej tyre kanë shkuar në pension”, ka treguar Azemi.

Sipas tij, të gjitha qeveritë për qëllime të caktuar kanë lejuar që numri i inspektorëve të jetë i vogël.

Mendoj se të gjitha qeverive iu ka konvenuar të këtë numër të vogël të inspektorëve, pasi që realisht edhe qeveritarët i kanë futur duart në kapitalin e pronarëve të kompanive dhe ata dëshirojnë që të kenë një lidhje direkte qeveri-pronar të kompanive, pa kaluar përmes inspektorëve të punës”, ka deklaruar Azemi.

Deri me tani zyrtarët qeveritarë dhe ata të inspektoratit mosrritjen e numrit të inspektorëve e kanë arsyetuar me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Sipas tyre, ky ligj nuk ka lejuar që të hapen konkurse të jashtme.

Ligji i ri për Zyrtarët Publik është miratuar në Kuvend në fund të vitit të kaluar. Pak ditë pas miratimit, opozita ligjin e ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar anulimin e tij.

Lajme të ngjashme