Pozhari e pyet Mustafën: Pse s'e përmende Rexhep Selimin në statusin për vizitën në Hagë?
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar të shtunën se në fillim të kësaj jave ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë, nga ku ka bërë thirrje që të triumfojë drejtësia dhe të vërtetohet lufta e pastër e UÇK-së.
Mustafa, sipas njoftimit, u takua me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.
E për mos përmendjen e Rexhep Selimit e të tjerëve në statusin e Mustafës, ka reaguar analisti Xhevdet Pozhari.
“Edhe Rexhep Selimin e ke pas aty! Apo, je përmalluar veç për të tjerët?”, ka shkruar Pozhari.
E aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, e cila u pasua me arrestimin e tyre dhe dërgimin në Hagë. Ish-krerët e UÇK-së ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë tash e dy vjet, derisa presin të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Ata janë deklaruar të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake.