Popull i pensioneve: Mbi 400 mijë qytetarë në 15 skema sociale që ‘përkëdhelin’ varfërinë  - NACIONALE

Popull i pensioneve: Mbi 400 mijë qytetarë në 15 skema sociale që ‘përkëdhelin’ varfërinë 

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova ka listë të gjatë të skemave sociale. Shteti për çdo muaj ndan para për mbi 400 mijë kosovarë nëpërmjet 15 skemave të ndryshme sociale. Përfshirja e rreth ⅕ së popullsisë së vendit në skema sociale s’po shihet si diçka që po ndihmon siç duhet qyetarët, po edhe s’po ka efektet e dëshirueshme.

Shteti ndan mbi 500 milionë euro çdo vit për këto skema sociale.

Ama shumëkush kritikon numrin e lartë të skemave sociale dhe i sheh ato si të destinuara për të dështuar në qëllimet e tyre. Skemat kritikohen se janë të përgatitura asisoj që s’do të arrijnë qëllimet e proklamuara. Thuhet se skemat nuk çojnë në kohezion social apo kohezion mes gjeneratave, si dhe nga disa skema përfitojnë grupe me fuqi politike dhe interesa partiake, përderisa anashkalohen grupe të tjera shoqërore në nevojë.

Skema për ndihmë sociale kritikohen se nuk ndihmojnë familjet që janë në varfëri të skajshme, që s’u ndihmojnë qyetetarëve të dalin nga varfëria, dhe se nuk stimulojnë punësimin, e çka do të duhej të ishte një prej qëllimeve të tyre. Kjo skemë po ashtu kritikohet në mënyrën se si llogarit varfërinë për një familje, pasi llogaritja bëhet përmes metodologjisë së vjetër dhe që nis dhe mbaron me shportën ushqimore.

Skemat tjera sociale shihen si tendencë për ‘blerje të paqes shoqërore’, apo se përdoren nga qeveritë për përfitime partiake. Insititucionet ndërkombëtare financiare vazhdimisht kanë bërë thirrje të rishikohen e të reformohen skemat sociale në Kosovë.

Ta zëmë, Banka Botërore vazhdimisht ka potencuar se shpenzimet për ndihmë sociale janë të orientuara drejt parave të gatshme që nuk kanë lidhje me varfërinë dhe se duhet të reformohet sistemi i mbrojtjes sociale dhe të tentohet të zhduket varfëria, duke rritur punësimin, e po ashtu duke ofrouar kushte të mira jetese për të gjithë.

Tash e disa muaj partitë në Kuvendin e Kosovës s’po merren vesh të votojnë një kredi ndërkombëtare me rreth 47 milionë euro, çka do t’i hapte rrugë reformimit të skemës për ndihmë sociale. Partitë vazhdojnë ‘lojën e ping-pongut’ mes tyre me akuza e kundërakuza përderisa reforma pret në sirtarët e qeverisë, e krejt kjo bëhet përderisa vështirësitë ekonomike janë rritur ndjeshëm muajve të fundit, me rritje të theksueshme të çmimeve të produkteve bazë.

Te një numër i madh i qytetarëve vazhdon të jetë e shprehur varfëria – mbi 7 për qind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme me më pak se një euro në ditë. Në përpjekje për t’u ndihmuar, shteti u ndan familjeve nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Janë mbi 25 mijë familje kosovare që përfitojnë nga kjo skemë – brenda kësaj kategorie janë mbi 101 mijë persona që përfitojnë ndihmë në kuadër të familjes – për muajin mars familjet përfituese do të marrin edhe nga 100 euro shtesë si pjesë e pakos emergjente për rimëkëmbje të aprovuar nga qeveria.

Numri i familjeve brenda kësaj kategorie mund të ndryshojë vazhdimisht, pasi janë disa kritere që përcaktojnë se kush mund të jetë e kush duhet të largohet nga kjo skemë sociale. Një prej pikave që kritikohet vazhdimisht është se, ani pse një familje do të vazhdojë të jetojë në pragun e varfërisë, familja humb të drejtën e ndihmës sociale nëse nuk ka fëmijë nën moshën 5-vjeçare. Brenda skemës ka edhe kritere tjera që mund të largojnë familjet nga ndihma e shtetit.

Kjo skemë po ashtu kritikohet se ndan pak para, pasi 100 euro ndahen për një familje me mesatarisht 5 persona.

***

Skema sociale me numër të madh të përfituesve janë edhe ato të pensioneve të moshës së punës. Shteti ndan për çdo muaj para për pensionin e moshës, pensioneve kontributpaguese dhe skema për pensione familjare dhe ku janë të përfshirë mbi 200 mijë qytetarë kosovarë.

Janë edhe të paktën 12 skema tjera sociale dhe nga të cilat përfitojnë rreth 40 mijë kosovarë të tjerë.

Pension marrin personat me aftësi të kufizuara, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pastaj mbështeten familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, pastaj personat invalidë etj. Kategoritë e prekura direkt nga lufta e fundit janë po ashtu përfituese të pensioneve përmes skemave të pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës.

Listës së gjatë të skemave sociale i shtohen edhe pensionet e Trepçës, skema e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër e fëmijët e braktisur, por ka edhe skema tjera.

Nëse i shikojmë të dhënat, Kosova paguan diç më shumë se sa Gjermania pensione brenda muajit – shteti gjerman ka rreth 21 për qind të popullsisë në skema të ndryshme sociale.

Sipas raporteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ky është numri i përfituesve nëpër këto skema sociale për muajin mars të këtij viti:

‘‘Nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 736 familje me gjithsej 101 856 anëtarë dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 682 familje’’, thuhet në raportin e zakonshëm të ASK-së.

‘‘Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 148 196 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 757 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 477 përfitues.’’

Skema me numrin më të vogël të përfituesve është kategoria e pensioneve invalidore ku përfitues janë vetëm 68 persona.

Përfitues të pensioneve janë edhe minatorët e Trepçës, ku përgjatë marsit të këtij viti janë shpërndarë pensione tek 1 964 përfitues. Shteti vazhdon të ndajë pensione edhe për ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës ku janë 1 237 përfitues.

‘‘Nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 636 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 733 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 584 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 741 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 239 përfitues; dhe nga skema për veteranët e luftës janë 37 006 përfitues’’, thuhet në raportin e marsit të këtij viti të ASK-së.

Në Kosovë shuma më e ulët e përfitimit nga një skemë sociale është 100 euro për muaj, ndërsa shifra përfituese më e lartë arrin tek afër 630 euro për muaj.

Lajme të ngjashme