Mushkolaj: Qeveria po i diskriminon punëtorët e sektorit privat, po i ndëshkon me vetëdije të plotë
Analisti Imer Mushkolaj, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qeverinë Kurti lidhur me pakot sociale.
Ai ka thënë se ndonëse kriza ekonomike nuk i ka goditur vetëm punëtorët e sektorit publik, qeveria po i ndihmon ata me nga 50 euro për katër muaj, në anën tjetër, duke cituar ministrin Murati, tha se dhjetëra-mijëra punëtorë të sektorit privat nuk do të ndihmohen financiarisht.
“Kriza nuk i goditur vetëm punëtorët e sektorit publik. Megjithatë, qeveria po i ndihmon ata me nga 50 euro për katër muaj. Për dhjetëra-mijëra punëtorë të sektorit privat, ministri Hekuran Murati po thotë plot arrogancë se nuk do të ndihmohen financiarisht.” – shkroi Mushkolaj.
Mushkolaj e quajti diskriminim qasjen e pushtetit me punëtorët e këtij sektori.
“Thua se ata nuk i takojnë kësaj shoqërie, por jetojnë në një tjetër planet. Pra, qeveria po i diskriminon, po i ndëshkon me vetëdije të plotë punëtorët e sektorit privat. Plot mujshi e arrogancë.” – tha ai.