Mitrovcasit në gjendje të rëndë socio-ekonomike: Mbi 2 mijë përfitues të ndihmave sociale
Gjendja sociale e ekonomike në qytetin e Mitrovicës, përshkruhet si shumë e rëndë. Kjo gjendje vjen si pasojë e papunësisë së lartë dhe mungesës së zhvillimit të industrisë.
Drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Europiane dhe Mirëqenie Sociale në këtë qytet, Drita Ibrahimi, e cilëson situatën si mjaft të vështirë, e një ndër arsyet për këtë gjendje është edhe faktori politik.
Sipas saj në Mitrovicën e jugut janë 2 mijë e 131 familje përfituese të skemës së ndihmës sociale.
“Gjendja socio-ekonomike në komunën tonë është mjaft e rëndë… Numri i familjeve përfituese të ndihmave sociale në komunën e Mitrovicës së Jugut është 2 mijë e 131. Ky numër ndryshon nga muaji në muaj pasi vlerësohet sipas kritereve të parashtruara… Nje faktor i këtij numri të lartë është se Mitrovica ka qenë dhe është qytet industrial, numri më i madh i punëtorëve ka qenë i punësuar në fabrikat e gjigantit ‘Trepça’… Si shkak tjetër i numrit të madh të përfituesve të ndihmave sociale është edhe papunësia, pastaj është faktori politik gjithsesi…“- tha Drita Ibrahimi.
Sociologu Ramadan Beshiri thotë se më herët Mitrovica ka pasur një ekonomi shumë të fortë para luftës. Sipas tij, edhe konflikti ndëretnik ka luajtur rol negativ në thithjen e investitorëve.
“Mitrovica vjen nga një ekonomi shumë e fuqishme para luftës dhe ky ndryshim i madh që ka ndodhë nga paslufta në Mitrovicë ka ndikuar në masën e popullsisë dhe nivelin e tyre social… Normalisht gjendja fragjile në mes dy popujve ose konflikti ndëretnik i cili ka mbetur peng me Mitrovicën e veriut dhe të jugut ku një urë ndanë dy popuj të armiqësuar, ka luajtur një rol shumë negativ në thithjen e investitorëve. Do të thotë investitorët kanë hezituar të investojnë këtu, andaj qyteti ka mbetur në një gjendje goxha të mjerueshme nga aspekti social…”, tha sociologu Beshiri për kosovapress, përcjell topchanel.
Ekonomisti Nysret Maxhera mendon se zgjidhja për këtë gjendje është t`i propozohet të gjitha strukturave drejtuese të vendit orientimi drejt zhvillimit industrial, duke mobilizuar të gjitha mjetet financiare në dispozicion.
Ai tha se rreth 4-5 miliardë euro janë kursime të qytetarëve të Kosovës nëpër banka dhe ato (bankat) duhet të jenë tashmë bartëse të kreditimit dhe zhvillimit të ekonomisë kosovare, në mënyrë që mjetet të kthehen dhe të multiplikohen në zhvillimin industrial të ekonomisë së Kosovës.
“Gjendja reale socio-ekonomike e qytetarëve të Mitrovicës është e keqe dhe ka tendenca të përkeqësimit të mëtutjeshëm. Kjo është pasojë e faktorëve politikë, ekonomikë, qeveritarë të Republikës së Kosovës, të cilët nuk kanë pasur guxim, dije, por edhe interesim, që Mitrovica të kthehet aty ku e ka vendin, ku e meriton… Në Mitrovicë përveç ndarjes politike…janë shkëputur të gjitha degët e zhvillimit ekonomik dhe financiar, kështu që fatkeqësia është duke u rritur çdo ditë e më shumë… Papunësia është në nivelin më të lartë të mundshëm. Fatkeqësisht, këtë po e ndihmon ikja e ‘trurit’, por edhe e fuqisë fizike dhe mjeshtërve të ndryshëm në botën e jashtme… Mungesa e investimeve, aktivizimi i kapaciteteve ekzistuese, me pak meremetim kishte mundur të ndihmohej shumë… Të gjitha strukturat politike dhe udhëheqëse të kthehen në zhvillimin industrial dhe të shfrytëzojnë paratë që janë tepricë. Po ju them, diku rreth 4-5 miliardë euro kanë kursime qytetarët e Kosovës nëpër banka. Bankat duhet me qenë tash bartëse të kreditimit dhe zhvillimit të ekonomisë kosovare. Duhet mobilizuar të gjitha mjetet që janë në dispozicion të qytetarëve…ato të kthehen dhe të multiplikohen në zhvillimin industrial të ekonomisë së Kosovës”, theksoi Maxhera për kp.