Ministra e Drejtësisë kërkon thellim të hetimeve: Menaxhmenti të jap llogari për keqtrajtim - NACIONALE

Ministra e Drejtësisë kërkon thellim të hetimeve: Menaxhmenti të jap llogari për keqtrajtim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi u bë virale, videoja ku shihej se disa infermiere sulmonin e argëtoheshin, teksa e keqtrajtonin një të moshuar.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e të moshuarëve “Orenda” në Pejë.

Haxhiu ka kërkuar që të thellohen hetimet, dhe të jepet llogari edhe nga menaxhmenti.

Statusi i plotë i ministres Haxhiu:

Sjellja abuzuese e mizore, ndaj një të moshuare në Pejë, na ka tronditur të gjithëve.

Në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria, janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.

Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen!

Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente!”

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Rasti ka ndodhur në një shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë. Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten.

Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video. Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët. Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU

Lajme të ngjashme