Liderët e institucioneve e të partive politike urojnë Pashkët: Le të përpiqemi për punë të mira
Liderët e institucioneve e ata të partive politike kanë shprehur urimet e tyre me rastin e Pashkëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se Pashkët janë festë që kujtojnë rëndësinë e harmonisë.
“Paçi Pashkë të Bardha e t’Lume! Gëzuar për të gjithë besimtarët katolikë, ditën e madhe të ringjalljes së hyjit, ditën e përjetësisë! Pashkët janë shpresë e ogur për një të ardhme më të mirë, bashkë e në paqe. Le të na kujtojë kjo festë e shenjtë rëndësinë e harmonisë dhe të frymëzojë te ne kujdesin për tjetrin. Sot e përmot, Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta humane dhe fuqisë njerëzore për një jetë më të mirë për të gjithë”, thuhet në postimin e Kurtit.
Një urim me dëshirën për harmoni e solidaritet, e ka pasur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Festa e Pashkëve personifikon dashurinë dhe sakrificën për njerëzimin. Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, drejt një të ardhmeje me besim e shpresë, ndaj uroj që secila familje të rrethohet nga dashuria, paqja dhe gëzimi! Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi”, ka thënë ajo.
“Le të na sjellin Pashkët shpresë, mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar! Gëzuar për shumë mot Pashkët!”, thuhet në urim.
Ka uruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ndërsa përqafojmë mesazhin e dashurisë dhe faljes, që na e sjellë festa e Pashkëve, le të zotohemi për të punuar për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, ku çdo individ vlerësohet dhe respektohet. Në këtë festë që simbolizon ringjalljen, shpresën dhe besimin, urojmë që te vijnë ditë më të mira për mbarë popullin tone”, ka uruar Krasniqi.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar duke kërkuar punë më të mira për Kosovën në të ardhmen.
“Festa e Pashkëve ashtu siç shënjon ditën e ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e njeriut te vlerat më sublime shpirtërore, ashtu le të na rigjallërojë shpresën, forcën dhe vullnetin për t’u bërë më të mirë me njëri-tjetrin dhe për të shpalosur vlerat e vërteta njerëzore. Le të përpiqemi të punojmë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë të dashur Kosovën”, thuhet në postim.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbetet me shpresë që Vatikani ta njohë Kosovën.
"Vëllezër dhe motra të besimit katolik, bashkëkombas shqiptarë të krishterë, si dhe miq ndërkombëtar, për shumë mot Pashkët. Populli shqiptar mbijetoi në rrethana të vështira ndër vite. Shqiptarët qëndruan bashkë pa dallim dhe kjo na bën popull të veçantë. Uroj që edhe kjo festë, të na gjejë të bashkuar, të sjellë bekim e begati në çdo familje", ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka uruar edhe Papa Françeskun dhe Dodë Gjergjin.
"Uroj posaçërisht Imzot Dodë Gjergjin dhe Kishën Katolike në Kosovë. Urim të veçantë për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe bashkëpunëtorët, duke shpresuar për njohjen sa më parë të Kosovës nga Selia e Shenjtë", është shprehur Haradinaj.