Kredi për ‘lëmosha’: Skemat e refuzuara sociale të pamenduara prej vetë Vetëvendosjes
Kosova paguan shumë për skemat sociale që i dedikohen njerëzve që jetojnë në varfëri, e megjithatë këta të fundit nuk po dalin që nuk po dalin nga varfëria. Së fundi, kemi pasur një propozim të tillë për të zgjidhur çështjen, por i cili u refuzua nga opozita. Në anën tjetër, një ekspert i fushës po konsideron që e ekspozon edhe VV-në si parti jo të majtë dhe – merreni me mend – nënkupton se ato nuk janë menduar prej tyre. Për çka bëhet fjalë?
Eksperti i politikave sociale, Artan Mustafa, i ka dhënë të drejtë opozitës e cila ka refuzuar në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes së financimit për projektin e reformimit të sistemit të ndihmës sociale me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim që është në kuadër të Bankës Botërore.
Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se Kosova nuk duhet të marrë kredi për reformim të skemës sociale.
Sipas tij, për këtë reformë Qeveria duhet të ndaj mjetet e nevojshme financiare. “Më interesant se kundërshtimi opozitar, është përkrahja e Qeverisë së sotme ndaj projektit. Bazuar në emrin e saj dhe orientimin e majtë, Qeveria e LVV-së do të duhej të mendonte vetë për reformën e ndihmës sociale, dhe të mendonte nga një këndvështrim i majtë.”, ka thënë ai.
Mustafa ka kritikuar edhe mënyrën se si Qeveria po dëshiron ta bëj këtë reformë. “Opozita ka pasur të drejtë që ka refuzuar marrëveshjen për kredinë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, që është pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Përmbajtja e projektit është fatkeqe pasi Banka Botërore pati bërë një studim shumë cilësor më 2019, që po atë vit pati informuar një nismë reformash të Qeverisë. Me ato rekomandime, skema e ndihmës sociale do të largonte kategorizimin, do të shmangte penalizimet e shumta, do të ndërlidhej më mirë me aktivizimin për punë, dhe do bëhej më gjeneroze. Kjo skemë duhet sa më parë të reformohet, sepse kriteret kualifikuese për të nuk i përshtaten nevojave të sotme dhe mbulueshmëria ka qenë duke rënë vazhdimisht”, ka deklaruar Mustafa për Nacionalen.
Qëndrimi i studiuesit Mustafa, nuk kufizohet vetëm në kritikën ndaj reformës së propozuar nga qeveria.
Ai ka treguar se cilin model të reformës duhet ndjekur Qeveria e Kosovës. “Duke pasur parasysh suksesin e skemave universale bazike në Kosovë, që janë unike për rajonin, ndoshta Qeveria duhet të fillojë të mendojë për një skemë të thjeshtë, digjitale të të ardhurave universale minimale”, është shprehur ai.
PDK-ja dhe LDK-ja që nga fillimi e kanë kritikuar miratimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tyre, marrja e kredive nga Banka Botërore për një reformë të tillë është e papranueshme.
“Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga. Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve dhe marrin kredi të tilla,” - iu kishte thënë në Kuvend deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Ndërsa, pretendimet e opozitës i kishte hedhur poshtë, ministri i Financave, Hekuran Murati.
Në prezantimin e marrëveshje për ratifikim në Kuvend, ai kishte treguar shumën e parave që do ta merrte Kososva në formë të kredisë për të realizuar reformën e skemës sociale. “Ne si ministri e Financave kemi nënshkruar marrëveshjen e financimit për projektin e reformimit të sistemit të ndihmës sociale me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim që është në kuadër të Bankës Botërore. Vlera totale kap shifrën e 47 milionë eurove dhe do t’i mundësojë qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e sistemit të ndihmës sociale ku përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejt familjeve në nevojë si dhe avansimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që të krijohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale në raport me nevojat e qytetarëve”, kishte shpjeguar Murati.
Pavarësisht pretendimeve të Qeverisë, marrëveshja ka dështuar të ratifikohet për herë të dytë këtë javë.
Pas refuzimit të dytë të kësaj marrëveshjeje, po bëhet e qartë se problemet e skemës së ndihmës shoqërore ekzistuese janë më komplekse dhe kërkojnë një angazhim më teknokratik, e të shpërqendruar nga interesat politike.
Të dëshpëruar mbetën përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nga ky refuzim i dytë i kësaj marrëveshje. “Qeveria Kurti e sheh jetike këtë marrëveshje. Në kuadër të këtij projekti ka qenë i paraparë të zgjerohet baza e asistencës sociale dhe e dyta, ata që janë në skemën sociale të ndihmohen për t’u aktivizuar në tregun e punës”, ka thënë deputeti Armend Muja, në fjalën e tij, atë ditë.
Projekti i Reformës së Skemës së Ndihmave Sociale
Gjatë vitit 2019, duke u mbështetur në një koncept-dokument të punuar brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe studimin nga Banka Botërore, kishte filluar përpjekja për reformimin e Skemës për Ndihmë Sociale (SNS). Asokohe, hulumtimi nga Banka Botërore ka gjetur se “SNS ka ndikimi tejet i kufizuar në zbutje të varfërisë, që është qëllimi kryesor i kësaj skeme”. Sipas këtij studimi, “në vitin 2016, SNS-ja ndikoi në uljen e shkallës së varfërisë me 1.9 pikë të përqindjes, nga 16.3% në 14.4%, ndërsa në zvogëlimin e hendekut të varfërisë me 1.6 pikë të përqindjes, nga 4.8 në 3.3%”.
Sipas këtij dokumenti, fatkeqësisht ky nuk është problemi i vetëm i skemës ekzistuese.
Gjetje e këtij hulumtimi janë shumë më të gjëra dhe përmbajtësore. Ngjashëm SNS çalon edhe në shumë segmente.
Dokumenti, në të njëjtën formë shënon se: “Për shkak të kornizës jo-adekuate ligjore, mbulueshmëria e SNS-së është e kufizuar, metoda e shënjestrimit nuk përputhet me karakteristikat dhe nevojat e personave dhe familjeve të varfra dhe shuma mujore është e pamjaftueshme t’i mbulojë nevojat bazike të përfituesve.”
Po ashtu, gjetje e rëndësishme është mungesa e një skeme të ndihmave shoqërore më dinamike, që angazhohet për të nxjerrur nga gjendja për ndihmë shoqërore kategoritë e caktuara. Kësisoj, hulumtimi pahtëson se “mungesa e koordinimit dhe integrimit të SNS-së me shërbime të punësimit dhe kujdesit social pamundëson aktivizimin e përfituesve, ‘pavarësimin’ e tyre gradual nga SNS dhe integrimin e qëndrueshëm socio-ekonomik.”
Në këtë formë ishte konstatuar që Skema e Ndihmës Sociale, që thithë 88% të shpenzimeve për ndihmë sociale ishte e mangët dhe duhet domosdoshmërisht të reformohet. Rrjedhshëm, ky proces kishte filluar në atë kohë, kur ky institucion udhëhiqej nga një qeveri e parti politike tjetër.
Procesi i rishikimit zgjati për disa vite – ndoshta edhe për shkakun e mungesës së stabilitetit të qeverive të kaluara, për të ardhur deri të përfundimi i këtij projekti, tani me 2022. Dje gjatë ditës, ky projekt për ri-shikimin e skemave sociale, e mbështetur nga një kredi ndërkombëtare e huazuar nga Banka Botërore, është refuzuar.
Përgatiti: Arbër Thaci