Kosovarët shpënzojnë mesatarisht 146 euro për festa të fundvitit
Për festën e fundvitit kosovarët kanë deklaruar se mesatarisht shpenzojnë 146 euro, ndërkohë që në vitin 2021 ata kanë shpenzuar mesatarisht 156 euro.
Kështu thuhet bazuar në të dhënat e nxjerrura nga sondazhi i kompanisë Ubo Consulting.
Siç thuhet në njoftimin e tyre, në përgjithësi, familjet kosovare po shpenzojnë mesatarisht 0.2 milionë euro më pak se në fundvitin e 2021-ës, dhe rreth 3.1 milionë euro më pak këtë fundvit se sa në fundvitin e 2020-ës.
“Përkundër faktit që inflacioni nuk ka ndikuar shumë në shumën e pergjithshme që familjet shpenzojne për festat e fundvitit, ajo ka reflektuar në mënyrën se si po shpenzojnë. Si rezultat familjet kanë deklaruar se po shpenzojnë më shumë në ushqim (71%) dhe më pak në dhurata, aktivitete tjera lidhur me mbremje muzikore apo ne dekor krahasim me vitet e kaluara”, thuhet në postimin e tyre.
Ata tutje tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar, numri i familjeve kosovare që festojnë festat e këtij fundviti është rritur për 4 pikë përqindjeje, nga 64% në vitin 2021, në 68% në 2022. Numri i familjeve kosovare që këto festa nuk i shënojnë për shkaqe ekonomike ka shënuar rritje nga 14% në vitin 2021, në 20% në 2022.
“Inflacioni është një faktor që qëndron pas rritjes së vonesave në blerje të festave këtë vit. Çmimet më të larta për gjithçka nga qiraja deri te ushqimi, kanë bërë që të vonojnë blerjet deri në minutën e fundit”, përfundon njoftimi i tyre.