KOMF reagon pas raportimit të Nacionales: Kërkojmë hetim për dhunën ndaj Belgin Jasharit
Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka reaguar pas raportimit të Nacionales për rastin e dhunës ndaj Belgin Jasharit.
KOMF ka kërkuar hetim nga institucionet dhe dënim të dhunuesve.
“Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) a ndjekur me shqetësim dhe keqardhje pamjet e publikuara në media që dokumentojnë se kur një i rritur përdorë dhunë fizike ndaj një fëmije derisa zhvillohet një ndeshje futbolli mes dy klubeve të fëmijëve në Fushë Kosovë.”, thuhet në reagim.
Tutje në reagimin e KOMF thuhet se dënon me forcë këtë akt të papranueshëm dhune.
“Dhuna ndaj fëmijëve është e pajustifikueshme, veçanërisht kur ndodh në hapësira që duhet të jenë të sigurta, edukative dhe nxitëse për zhvillimin e tyre. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse, është fakti se sipas dëshmive të publikuara, sulmi ka pasur edhe motive racore”.
“KOMF i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë këtë ngjarje dhe të marrin masat e menjëhershme ndaj personit përgjegjës. Ndëshkimi i këtij akti është i domosdoshëm për të dhënë mesazhin se dhuna, racizmi dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papërshtatshme nuk kanë vend në sport, e aq më pak në aktivitete ku marrin pjesë fëmijët”, thuhet në njoftim.