Katër të vrarë brenda 24 orëve në Kosovë
Katër persona janë vrarë veç brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.
Tre ishin viktimë të ngjarjes tragjike në Gjilan, kurse një tjetër u godit me thikë në Zhur të Prizrenit dhe nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Dy ngjarjet kanë nxitur reagime të mëdha në opinionin publik, duke kërkuar masa shtesë, e dënime më të rrepta nga institucionet e drejtësisë.
Tragjedia në Gjilan
Në qendër të Gjilanit, në një kafiteri, mesdita e djeshme ishte e kobshme.
Tre persona mbetën të vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
I dyshuari kryesor është Mefail Shkodra, një person me të kaluar kriminale, e me numër të madh të veprave penale. Bashkë me të, në kërkim u shpallën Edmond dhe Engjëll Shkodra.
Deri më tash, asgjë nuk dihet për vendndodhjen e tyre.
Viktima ishin Selami e Edmond Hasani, babë e bir, si dhe Abedin Hoxha.
Dyshimet janë se rasti ka ndodhur për fajde, megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarist.
Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, në një konferencë për media tha se për vrasjen e tre personave në Gjilan, një person është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Ai shtoi se në kërkim ndodhen edhe tre persona të tjerë të dyshuar, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.
“Personi i katërt është arrestuar në vendin e ngjarjes pasi janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse i njëjti mund të ketë ndërlidhje në këtë rast. Tre personat janë shpallur në kërkim policor, është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë lajmëruar në pikat kufitare”, tha ai.
“Policia ka ndërmarrë tri kontrolla me dyshimin që mund të jenë personat e dyshuar, “ekipet janë në terren”, shtoi ai.
Lista e veprave penale që ka Mefail Shkodra, është e gjatë,
Drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi në një konferencë për media shpalosi të kaluarën kriminale të Shkodrës, që siç tha ai varion në lloj-lloj precedentesh penale.
“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm në pesë raste, prishje e rendit dhe qetësisë publike në dy raste, fajde në tri raste, mashtrim në një rast, kërcënim në tri raste, shantazh një rast, detyrim në dy raste. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion”, tregoi Rukiqi, duke thënë se Shkodra gjithsej i ka 31 raste.
Vrasja në Zhur
Si pasoojë e goditjes me thikë, një tjetër person u vra në Zhur të Prizrenit.
Personi i dyshuar është arrestuar, dhe atij i është gjetur edhe thika.
“Viktima mashkull ishte dërguar në emergjencën e spitalit në Prizren për shkak të lëndimeve pasi dyshohet se ishte therur me thikë nga një person tjetër. Si pasojë e lëndimeve të rënda viktima është dërguar në QKUK ku edhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një thikë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Detaje për ngjarjen ka dhënë edhe Prokuroria në Prizren.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitet relevante policore, dhe me urdhër verbal të prokurorit, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) brisk patente (që dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale); Një (1) veturë e markës “Audi”. I pandehuri E.B., është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë.