Kasolli: Uashingtoni mbështet planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi - NACIONALE

Kasolli: Uashingtoni mbështet planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njohësi i rrethanave politike Afrim Kasolli ka thënë se agresioni rus në Ukrainë ka filluar të ndikojë edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se iniciativa e re diplomatike e Gjermanisë dhe Francës më qëllim përshpejtimin e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, tregon për këtë ndikim.

Forcimi i unitetit transatlantik pas invasionit të Rusisë mbi Ukrainën, ka filluar të reflektohet edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Iniciativa e re diplomatike e Gjermanisë dhe Francës më qëllim përshpejtimin e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është shprehje e kësaj tendence. Po ashtu shihet qartë së ky plan ka edhe mbështetje nga Uashingtoni. Pra boshti Berlin, Paris, Uashington dhe Londër, është më aktiv se kurrë më parë. Se çfarë është përmbajtja e këtij projekti nuk mund të themi asgjë me siguri. Po ashtu se si do sillet pala kosovare dhe serbe ndaj kësaj shtytje te reja ndërkombëtare është vështirë të pohohet diçka konkrete”, ka shkruar ai.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë transparence në këtë proces.

Në këtë rast neve na intereson më shumë qëndrimi i qeverisë së Kosovës, ndonëse kjo e fundit ka instaluar një mbyllje hermetike në raport me këtë proces. Opinioni publik mbetet totalisht i painformuar. Ka mungesë të plotë të transparencës se çka po diskutohet në prapaskenë. Gjuha nebuloze e kryeministrit nuk i ndihmon qartësimit të situatës. Po ashtu një gjë është e sigurt. Eventualisht nëse njëra nga palët e saboton këtë proces, do të përballet me pasoja afatgjata. Ajo do mbahet përgjegjëse për mungesën e përkushtimit ndaj vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare për ta mbyllur një vatër të krizës rajonale. Me apo pa dëshirën saj do të mund të kualifikohet si fajtore që i ka kontribuar minimit të projeksioneve diplomatike të kryeqendrave botërore për stabilitet gjeopolitik. Pasojat e një gabimi të tillë mund të jenë të paparashikueshme. Kosova që nga shpallja e pavarësisë, sot ka nevojë më shumë se kurrë më parë, për vendimmarrje racionale”, ka shkruara Kasolli.

Lajme të ngjashme