Kasolli për shkëputjen e Kontraktës Kolektive: Dyshoj se është bërë pa lejen e Kurtit
Analisti, Afrim Kasolli ka reaguar lidhur me shkëputjen e Kontratës Kolektive nga ana e Ministrisë së Arsimit me SBASHK-un, i cili thotë se dyshon se kjo është bërë pa lejen e Kurtit.
Me anë të një postimi në Facebook, Kasolli ka thënë se ky akt mund të jetë i nxitur nga kalkulimet e tij për të prodhuar kriza të reja të brendshme.
“Dhe këtë tension s’mund ta ndezë më shpejt dhe me lehtë me askënd tjetër, se sa me këtë sindikatë. Pasi opozita është totalisht e heshtur, atëherë po i duhet një pretekst tjetër për lojëra të tilla, pikërisht në këtë moment kur po përballet me një presion dhe izolim të hatashëm ndërkombëtar për shkak të procesit të dialogut”, ka shkruar Kasolli në Facebook.
Tutje ai ka thënë se kërkesa të tilla për rizbatim të Kontratës Kolektive etj, nuk janë asgjë tjetër, pos instrumentalizime të kësaj trupe përfaqësuese të arsimit nga partitë opozitare, për ta penguar atë në misionin historik që ka para vetës.
“Ndryshe provokimi i kësaj teme në një kohë kur shumica e vendeve aleate janë shprehur kritike ndaj sjelljeve të Kosovës, nuk ka si shpjegohet ndryshe”, thuhet tutje në statusin e tij.
