Hyseni i VV-së për Kurtin: Hap pas hapi po shtrinë sovranitetin e shtetit tonë në tërë territorin
Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gradualisht po shtrinë sovranitetin e shtetit tonë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Hyseni për këtë deklaratë, nuk dha ndonjë argument mbi të cilin do ta bazonte qëndrimin se sovraniteti i Kosovës po shtrihet gradualisht në tërë territorin.
“Kryeministri që hap pas hapi shtrinë sovranitetin e shtetit tonë në tërë territorin!” – shkroi ai në Facebook.
Postimi:
Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje serbëve sot të mos “bojkotojnë apo braktisin institucionet e Kosovës”.
“Ata na shërbejnë të gjithëve, secilit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka shtuar Kurti në një postim në Facebook.
Thirrja e Kurtit vjen në një situatë të tensioneve në rritje mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me insistimin e qeverisë Kurti në vendimin për targa.
Siç raportoi edhe më herët Nacionale, Lista Serbe thirri një takim në orët e para të së shtunës për të diskutuar situatën aktuale në veri. Të pranishëm ishin të gjithë liderët e Listës Serbe si dhe policë të nacionalitetit serb nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim. Lista Serbe ka vendosur të largohet nga institucionet e Kosovës.