Homazhet për Nexhat Dacin përmes fotografive - NACIONALE

Homazhet për Nexhat Dacin përmes fotografive

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me zotëriun e parë, Prindon Sadriu, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. .

Ajo ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, pranë arkivolit i cili po qëndron në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Së bashku me Kurtin në homazhe ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli si dhe ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari.

Ai ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka bërë homazhe në nderim të ish-krye kuvendarit, Nexhat Daci, i cili vdiq dje në moshën 81-vjeçare, raporton Ekonomia Online.

Hamza bëri homazhe se bashku me bashkëpartiakët Vlora Çitaku, Blerta Deliu-Kodra, dhe Elmi Reçica.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë homazhe për ndarjen nga jeta të ish‑kryeparlamentarit Nexhat Daci.

Homazhe në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit që shërbeu për dy mandate, bëri edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani po ashtu edhe kryeparlamentari në detyrë Dimal Basha.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha, ka bërë homazhe në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.

Ai ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, personalitete nga jeta politike e akademike, si dhe qytetarë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kryeparlamentarit.

Kush ishte Nexhat Daci?

Akademik Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Leskoc (1956–1960). Studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore – Dega e Kimisë në Beograd (1962–1966) i përfundoi me sukses të lartë, duke u diplomuar në qershor 1966. Studimet pasuniversitare i vijoi në të njëjtin fakultet (1966–1968), për të vazhduar më tej me specializim në Liège të Belgjikës (1970). Gradën e doktorit të shkencave e mori në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet postdoktorale i realizoi në Universitetin e Bradfordit – Angli (1974).

Karrierën akademike e nisi në vitin 1968 në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik dhe u avancua në të gjitha titujt akademikë: ligjërues (1971), profesor inordinar (1974) dhe profesor ordinar (1984). Mori pjesë në dhjetëra konferenca e projekte shkencore brenda e jashtë vendit, duke përfaqësuar Kosovën në simpoziume ndërkombëtare në SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.

Akademik Daci ishte autor i dhjetëra librave universitarë dhe i qindra punimeve shkencore të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kimisë, arsimit të lartë dhe kulturës shkencore në Kosovë.

Ai ishte anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane (1985), i Akademisë Evropiane për Çështjet e Mjedisit (1987), si dhe anëtar korrespondent (1993) dhe anëtar i rregullt (1996) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 2014 u pranua si anëtar i Akademisë Europiane së Shkencave dhe Arteve.

Në karrierën institucionale mbajti funksione të rëndësishme: Shef i Degës së Kimisë (1971–1973); Sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut (1994–1999); Kryetar i ASHAK-ut (1999–2002 dhe 2018–2019). Në jetën publike ishte deputet i Kuvendit të Kosovës (2001–2011) dhe Kryetar i Parlamentit të Kosovës në dy mandate (2000–2004 dhe 2004–2006).

Lajme të ngjashme