Hetime për transplantim të dyshimtë veshkash në Kroaci - të përfshirë donatorë kosovarë - NACIONALE

Hetime për transplantim të dyshimtë veshkash në Kroaci - të përfshirë donatorë kosovarë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Puna për transplantimin e veshkave nga donatorë të gjallë në Qendrën Spitalore në Zagreb është ndalur përkohësisht. Kjo si pasojë e dyshimeve për trafikim të organeve, që besohet se kanë ndodhur në këtë qendër, në vitin 2019.

Sipas televizioneve kroate, hetimi ka nisur për shkak të dyshimeve për dhurim të veshkave nga dhurues nga Kosova e Serbia. E ndërkohë, pranuesit e organeve sipas Radio-Televizioni Kroat (HRT), janë kroatët.

Tutje nga raportimet e ministrisë së Shëndetësisë në Kroaci, rasti fillimisht është dorëzuar në Dhomën e Mjekëve të Kroacisë, për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës Mjekësore, ndërsa më pas edhe në Prokurorinë e Shtetit.

Duke iu përgjigjur akuzave për trafikim organesh, Qendra Spitalore në Zagreb tha se “të gjitha transplantimet janë kryer me miratimin e Komisionit të Etikës” të kësaj qendre.

“Të gjitha aktivitetet dhe procedurat e ndërmarra janë identike me procedurat që kryhen në të gjitha qendrat tjera të transplantimeve në Republikën e Kroacisë, ku bëhen transplantime të veshkave nga një donator i gjallë, që nuk ka lidhje me pranuesin”, thuhet në një deklaratë të Qendrës Spitalore në Zagreb, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Në Kroaci, transplantimi i organeve nga donatorë të gjallë, që nuk kanë lidhje me pranuesin, është i mundur.

Kontrollet janë të rrepta dhe donatorët duhet t’u nënshtrohen testeve specifike psikologjike, miratimit nga ekspertë të qendrës së transplantimit dhe komisionit të etikës së institucionit shëndetësor ku kryhet transplantimi, raporton HRT.

Reklamimi i disponueshmërisë ose nevojës për organe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Avokatja Nevena Alinoviq, nga Departamenti i Shkencave Ligjore në Universitetin e Splitit, tha për HRT-në se transplantimi i organeve në rastet kur personi dhurues është viktimë e trafikimit me qenie njerëzore, ndëshkohet me dënimin më të rëndë - deri në dhjetë vjet burgim.

Sipas HRT-së, Kroacia, me më shumë se 100 transplantime veshkash në vit, është në mesin e vendeve udhëheqëse në botë.

Lajme të ngjashme