Haxhiu akuzon Prokurorinë: E ka lënë të lirë të dyshuarin për vrasjen e gruas mbrëmë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas takimit Ndër-Ministror të Ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e gruas mbrëmë, është liruar nga Prokuroria në muajin korrik.
Ajo ka kritikuar Prokurorinë, që sipas saj, po bën papërgjegjësi të madhe.
“Kemi diskutuar për veprimet institucionale në raport me këtë rast. Sipas infromacioneve nga Policia e Kosovës, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike e fizike, dhe Prokuroria personin e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është papërgjegjësi institucionale. Papërgjegjësi e prokurorit të rastit. Sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera, që nuk mund t’i bëjë të ditura. Por secili prej institucioneve qoftë nga Policia, MSH apo Qendrat për Punë Sociale janë të obliguar që të verifikojnë secalin veprim institucional që nga momenti i parë kur është raportuar dhuna”, ka thënë Haxhiu.
“Pas përfundimit të takimit me grupin ndër-ministror. Mbrëmë një grua bashkë me foshnjen e saj që priste ta sillte në jetë, u vra pikërisht përpara objektit të gjinekologjisë. Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë, dhe ky rast tregon sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash e grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashëkshortët e tyre”, deklaroi Haxhiu.