Haliti: Tejkalojeni inatin personal, Edi Rama ishte i shkëlqyeshëm
Analisti Afrim Haliti ka reaguar ndaj kritikuesve të kryeministrit Edi Rama për fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Evropës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri shqiptarë po kritikohet për inate personale.
Ai ka vlerësuar se këto inate duhet të tejkalohen, duke shtuar se Rama dje në Këshill të Evropës ishte i shkëlqyeshëm.
“Disa njerëz e kanë shumë problem me u pajtu me dikënd që e kanë kritiku tërë kohën, edhe atëherë kur ata e kanë mirë. Prandaj bëhën të zëshëm kundër Edi Ramës. Unë për shembull, si kritikues i Albin Kurtit, edhe pse shumica nuk do ta besojnë por jam pajtu shumë shpesh me të, edhe atëherë kur fliste se rruga e Kosovës për më Bruksel kalon kah Tirana, edhe kur fliste për xhipat e zinjë, edhe kur thoshte se ne jetojmë mbi rezerva të mëdha të qymyrit prandaj duhet liru rrymën, edhe kur fliste për bashkimin kombëtar, edhe kur thoshte “Jo çetnikëve të Listes Serbe”, edhe kur thoshte se nuk emëron ministra si Rikallo, Jabllanoviqa e Radojçiqa, edhe kur thoshte se familja e kushërinjtë janë për dasma, edhe kur thoshte se nuk dialogon me Serbinë pa u trajtu rasti i të zhdukurve, dëmet e luftës, kthimi i fondit pensional, edhe kur premtonte reciprocitetin brenda ditësh, edhe kur thoshte se TVSH-ja bëhet zero për gjërat elementare ushqimore, edhe kur thoshte se çmimi i bukës nga 36 cent do të bëhej 31 cent, e shumë e shumë gjana tjera. Prandaj, tejkalojeni inatin personal. Edi Rama dje ishte i shkëlqyeshëm”, ka shkruar Haliti.